10:29 / E Enjte, 05 Shtator 2019 / indeksADMonline

Vendim i AAK-së, të gjithë ish-deputetët i futen përsëri garës

Në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti pritet të dominojnë edhe shumë ish-deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët synojnë ta marrin edhe një mandat.

Ndërsa disa ish-deputetë janë penalizuar për ta kërkuar edhe një mandat tjetër për shkak të aktakuzave të konfirmuara nga gjykata.

Deri të premten e 6 shtatorit subjektet politike në Kosovë do të kenë mundësi t’i përpilojnë listat e kandidatëve për deputetë dhe t’i dorëzojnë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por deri tash asnjëra prej subjekteve politike nuk i ka përfunduar këto lista, në të cilat shumica e deputetëve të legjislaturës që shkoi pritet të jenë pjesë e garës për deputetë në zgjedhjet e reja të 6 tetorit.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Rasim Selmanaj ka bërë të ditur për “Zërin” se në zgjedhjet e 6 tetorit do të kandidojnë të gjithë deputetët e legjislaturës së kaluar nga radhët e kësaj partie. Ai njoftoi se brenda kësaj liste, të cilën do ta përfundojnë sot, do të ketë hapësirë edhe për figura të reja.

“Ne jemi pothuajse nga fundi i përfundimit të listës, por deri të enjten përfundon. Normalisht që do të ketë kandidatë të rinj në listën e AAK-së, por se cila do të jetë lista përfundimtare do ta keni mundësi ta shihni të enjten. Deri në këtë moment të gjithë deputetët, të cilët kanë qenë në këtë legjislaturë që shkoi, janë në listën e AAK-së, duke më përfshirë edhe mua”, ka thënë Selmanaj, shkruan gazeta Zëri.Në legjislaturën e kaluar deputetë të AAK-së kanë qenë: Ahmet Isufi, Muharrem Nitaj, Daut Haradinaj, Blerim Kuqi, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Donika Kadaj, Emilija Rexhepi, Shkumbin Demalijaj, Rasim Selmanaj, Gani Dreshaj dhe Bekë Berisha. Në listën e kandidatëve do të jetë edhe profesori universitar, Afrim Hoti.