Vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme
Mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ish zëvendësministrit Arian Daci, i cili humbi jetën tragjikisht më datë 26 janar 2019 në Brezovicë.
Vendimi i parë që ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë ndarja e mjeteve financiare në vlerë 15 mijë euro për përkrahje familjes së ish zëvendësministrit të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, transmeton Indeksonline.

Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2019 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilin program do të përfshihen edhe këto Projektligje:
1. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
2. Projektligji për Statusin e Forcave të Huaja në territorin e Republikës së Kosovës
3. Projekt Kodi Civil
Po sot, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Disiplinor për Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit në Ministrinë e Financave në këtë përbërje:
Dardan Gashi, Zëvendëskryeministër, kryesues;
Mahir Yagcillar, Ministër i Administratës Publike, anëtar;
Kujtim Gashi, Ministri i MKRS, anëtar;
Kapllan Halimi, Sekretar i Përgjithshëm në MBPZHR, anëtar;
Arben Çitaku, Sekretar i Përgjithshëm në MMPH, anëtar.
Komisioni Disiplinor do të kryej detyrat dhe përgjegjësit e përcaktuar me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për pozita e larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës dhe aktet tjera përcjellëse.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz me të cilin janë bërë ndryshime në përbërjen e Komisionit Ndërministror, i cili do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Strategjia për të drejtat e fëmijëve 2019-2023 dhe Plani i veprimit 2019-2021. Me anë të kësaj strategjie synohet vendosja e një kornize gjithëpërfshirëse të politikave dhe njëherit të shërbejë si bazë për strategjitë tjera nen sektoriale, në mënyrë që të ndikojë në unifikimin e përpjekjeve institucionale për reformimin e sistemit që i referohet të drejtave të fëmijëve. Reforma këto që do të kishin kuptim nëse reflektohen në frymën gjithëpërfshirëse, me qëllim të ndërmarrjes së nismave për përmirësimin e gjendjes së fëmijëve në kontekstin social, ekonomik dhe politik. Përmbushja e këtij vizioni do të realizohet me arritjen e këtyre objektivave:
1. Përmirësimi i qeverisjes së mirë për realizimin e të drejtave të fëmijëve;
2. Përmirësimi i qeverisjes lokale për realizimin e të drejtave të fëmijëve;
3. Përfshirja dhe fuqizimi i fëmijëve në vendimmarrje;
4. Gjithë përfshirja e fëmijëve në shërbime të integruara për edukim dhe zhvillim në fëmijëri të hershme;
5. Përmirësimi i shëndetit, mbrojtjes së mirëqenies së fëmijëve për arritjen e potencialit të tyre të plotë.
Në arritje të këtyre objektivave kërkohet angazhimi nga institucionet në nivelin qendror dhe lokal, të organizatave jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës për të ndërtuar bazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të barabartë në të ardhmen dhe për t’i bërë këto të drejta realitet për të gjithë fëmijët.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Qelaj, ka ngritur shqetësimin per ndalimin e shitjes se pijeve alkoolike per të rinjtë adoleshentë në lokale publike dhe të frekuentimi i adoleshentëve në lokalet e natës. Ai ka kërkuar që të ndërmerren masat nga ana e Qeverisë që të sigurojnë zhvillim normal të fëmijëve dhe të rinjve adoleshentë.
Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Programin për Reforma në Ekonomi 2019-2021. Qeveria do të mbetet e përkushtuar në ruajtjen e mjedisit të qëndrueshëm makroekonomik, fuqizimin e rritjes ekonomike dhe perspektivës më të mirë të punësimit. Korniza e përgjithshme e politikave të Programit të Reformave Ekonomike është kombinimi i: politikave fiskale të bazuara në rregulla për stabilitetin e financave publike brenda hapësirës së disponueshme fiskale dhe në mbështetje të rritjes ekonomike përmes investimeve kapitale dhe financimit të fushave prioritare; Reformave strukturore që adresojnë pengesat kryesore për rritjen ekonomike në mbështetje të zhvillimit të sektorëve ekonomike konkurruese dhe sigurojnë që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe synon rritjen e mirëqenies.
Politikat fiskale të planifikuara në Programin e Reformave Ekonomike dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve do të mbështesin rritjen ekonomike duke siguruar që shpenzimet për investime publike të jenë mbi 10 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Politikat përfshijnë investime në institucione arsimore dhe shëndetësore, bujqësi dhe zhvillim rural, furnizimit me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.
Me kërkesë të Ministrisë së Financave është aprovuar vendimi për ndryshimin e tabelave të vendimit për kursime dhe ndarje dhe transfere buxhetore, që ka të bëjë me shumën e ndarë për “Blerjen e librave”. Shuma e ndarë prej 400 mijë eurosh do të ndryshohet në shumën prej 123,086 euro!
Kabineti qeveritar ka miratuar në parim edhe nismën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë.
Në këtë mbledhje, si pikë jashtë rendit të ditës, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë masa për gjendjen e krijuar në Has, ku është shënuar rritje e theksuar e kriminalitetit dhe pasigurisë për qytetarët në këtë mjedis. Ai ka kërkuar nga Ministria që të shqyrtojë mundësinë e hapjes së një nënstacioni policor në këtë mes, që do të kontribuonte në rritjen e sigurisë, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/