Vendimi “copy-paste”, Krasniqi ndëshkohet për “veprimet” e Veselit

Kërkesat për lirimin e përkohshëm i bënë veçmas, ndërsa përgjigjet i morën së bashku.
Për më tepër, prokuroria dhe gjykata duket se kanë përdorur shpesh metodën “copy-paste” për Veselin, Selimin dhe Krasniqin, njofton Klankosova.tv
Ky i fundit ngriti shqetësim për këtë fakt, kur u ankua se fillimisht kishte marrë një vendim refuzues ku përmendej emri i Kadri Veselit në paragrafët që i përkisnin atij, për të marrë më pas një tjetër – të rishikuar – pa këtë gabim.
Venkateswari Alagendra, avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, tha: “Vendimi paraprak i është referuar z. Veselit, e jo z. Krasniqit, çka është tregues i fortë se vendimet janë përgatitur së bashku. Shto këtu faktin se z. Krasniqit i është shkelur e drejta për vlerësim të paraburgimit në përputhje me rrethanat e tij personale, duke e vendosur atë në disavantazh ndaj të akuzuarve të tjerë, pasi mes tyre ka dallime thelbësore. Z. Krasniqi nuk është përfshirë – as tërthorazi – në pengim të procesit.”
Jakup Krasniqi insiston se ka vetëm një dallim real mes tij dhe të akuzuarve të tjerë, që e vendos atë në pozitë më të vështirë – mosha.
74-vjeçarit i është mveshur rreziku i qëndrimit me familjen e ngushtë.
Kërkesat për lirim të përkohshëm nga ana e treshes u refuzuan edhe nga Dhoma e Apelit.
Mungesa e garancive nga Policia e Kosovës mbetet një ndër arsyet kryesore për këtë, pasi ky institucion nuk është në gjendje të përgjojë të akuzuarit edhe në ambientet e tyre private familjare.