75 Mall Live Search
10:36 / E Premte, 08 Gusht 2025 / Z S

Vendimi i gjykatës për krizën institucionale, flet Kurti

Sot në mesnatë përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi në drejtim të konstituimit të kuvendit.

Kjo masë ishte vendosur pas dështimit të deputetëve për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses më 26 qershor.

Lidhur me këtë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se partia e tij ka ofruar kompromise dhe ka qenë e gatshme për bashkëpunim, por partitë e tjera nuk kanë ndërmarrë hapa të njëjtë

“Ne kemi ofruar dy kompromise. I pari ka qenë që, nëse me votim të fshehtë nuk zgjidhet Albulena Haxhiu, ne do të sjellim një emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për një paketë ku përfshihen kryetari dhe nënkryetarët. Ne kemi bërë hapa – nuk ka pasur hapa nga pala tjetër” u shpreh Kurti.

Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale pas dështimit për të formuar institucionet e reja, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Deri tani, janë bërë 54 përpjekje për ta konstituar kuvendin që nga seanca e parë, më 15 prill, por pa sukses./Indeksonline/