Vendimi i KQZ-së për Diasporën, Cakolli: Evitohen situatat e manipulimit të procesit të votimit jashtë vendit

Eugen Cakolli nga KDI përmes një postimi në FB ka komentuar vendimin e fundit të KQZ-së për Diasporën.
Ai ka thënë se votimi jashtë vendit është një prej operacioneve më të cenueshme dhe të ndjeshme të procesit zgjedhor, e që rëndom ka prodhuar situata problematike, që kanë rrezikuar edhe integritetin e tërë procesit zgjedhor.
“Ky fakt është konstatuar edhe nga raportet vendore dhe ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, sidomos që nga zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Lehtësimi i procedurave për aplikim dhe votim jashtë vendit nuk duhet të nënkuptohet si kompromentim të integritetit dhe transparencës së zgjedhjeve, duke e bërë këtë operacion të pakontrolluar fare.
Ndonëse pa detaje dhe jo plotësisht i qartë, vendimi i sotëm i KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit përmes telefonatave, i miratuar UNANIMISHT, është i nevojshëm për rritjen e integritetit të procesit zgjedhor”, shkruan ai, transmeton IndeksOnline.
Ai tutje thotë se ky vendim duhet të elaborohet tutje, duke përfshirë edhe përcaktimin e kontrollit të dyfishtë të realizimit të telefonatave, numrin e thirrjeve, problemin e zonave të ndryshme kohore dhe të ngjashme.
“Me anë të këtij vendimi evitohen situatat e manipulimit të procesit të votimit jashtë vendit, siç kemi pasur rastin më eklatant në fund të vitit 2017, kur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Istogut ishte përsëritur në tërësi. Madje, atë kohë, kur PZAP kishte tentuar konfirmimin e identitetit të votuesve jashtë vendit përmes telefonimit të tyre, pjesa dërrmuese e tyre kishin dalë numra të paqasshëm apo të gabuar.
Ndër tjerash, ky vendim adreson edhe situatën me votat e ardhura nga Serbia, të cilat në vazhdimësi kanë qenë të diskutueshme – për shkak të dyshimeve se aplikimet janë bërë nga persona të njëjtë dhe nuk janë verifikuar asnjëherë”, shkruan Cakolli.
Në fund ai thotë se trajtimi i kësaj teme si kalkulim ditor politik e elektoral është i panevojshëm dhe i dëmshëm./Indeksonline