22:41 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Vendimi i Kushtetueses po shihet si vendimtar për fatin e Qeverisë

Gjatë ditës së nesërme Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e Vetëvendosjes rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti. Nga kjo parti thonë se nëse vendimi është pro zgjedhjet janë të pashmangshme. Kurse analistët politik shprehen se ajo do ta kthente cëshjten në gjendjen fillestare.

Vetëvendosje po beson se zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, nëse të mërkurën, Gjykata Kushtetuese do e shpallë të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifit në favor të formimit të Qeverisë Hoti. Marrë parasysh se Qeveria Hoti siguroi minimunin prej 61 votave, anulimi edhe i një vote të vetme shihet si rënie e kësaj qeverie.


Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë në rast se Kushtetuesja e shpallë të pavlefshme votën e Arifit atëherë çështja do të bije të Presidentja e shtetit si do të vazhdohet ma tutje.

“Nëse vendimi do të jetë në favor të subjektit parashtrues të ankesës[LVV], atëherë çështja kthehet në gjendjen fillestare. Ushtruesja e detyrës së Presidentes do t’ia kthejë mandatin atij që i ka takuar, në të kundërtën atëherë kjo çështje merret si e kryer”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mazullm Baraliu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2 dhjetor do të mbajë një seancë publike online për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.