75 Mall Live Search
15:12 / E Enjte, 30 Prill 2026 / MSH1

Vendimi i Qeverisë për kompleksin rezidencial mbetet në fuqi, Kushtetuesja rrëzon ankesën e Komunës së Graçanicës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ankesën që Komuna e Graçanicës ushtroi ndaj vendimit të Qeverisë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial për persona me autizëm, sindromë Down dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.

Komuna e Graçanicës kishte bërë ankesë në Gjykatë lidhur me vendimin e Qeverisë, duke pretenduar se vendimi ishte në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal, parimet e përgjithshme dhe organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

Me 6 vota për dhe një kundër, Kushtetuesja konstatoi që vendimi i 28 gushtit i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me pikat e parashtruara nga Komuna e Graçanicës.

Me këtë rast, u konstatua po ashtu se vendimi i gjykatës për vendosje të masës së përkohshme dhe vendimet për vazhdimin e kësaj mase të shfuqizohen, shkruan IndeksOnline.

Në gusht të 2024-tës, Qeveria shpalli interes publik për ndërtimin e qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë Down dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, persona të rritur dhe të moshuar.

“Në qëllim të realizimit të interesit publik nga pika 1. e këtij Vendimi, sipërfaqet kadastrale të paraqitura në këtë Vendim, i jepen në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimët e Ballkanit” për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshuar së shtyrë” në periudhë prej 99 vitesh” thuhej në vendimin e Qeverisë.

Kundërshtimi u ngrit nga Komuna e Graçanicës, pasi sipërfaqet/pjesët e ngastrave kadastrale Nr.150-0, 155-0 dhe 17-8 janë në pronësi të Komunës.

Vendimi kishte paraparë që këto prona të bartën në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për realizimin e interesit publik.

“Pas bartjes, me fuqi të këtij vendimi, të njëjtat do t’i jepen në shfrytëzim shoqatës bamirëse nga pika 2. e këtij Vendimi” thuhej në vendimin e Qeverisë.