75 Mall Live Search
19:37 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

“Vendimi i sotëm i Veselit hap pozitiv, PDK po reformohet”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, si dhe zëvendësministrin e FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

Ai sot në një konferencë për media ka thënë se po largon të gjithë zyrtarët të cilët kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

 Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike , Shkëlzen Maliqi, ka thënë për Indeksonline se ky veprim nga ana e kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, është një hap i duhur, ku sipas tij një gjë e tillë duhet të ndodhë në gjitha partitë e tjera si dhe institucionet e vendit.

“Mendoj që është një veprim i duhur, kështu është dashur të reagojë. S’janë verdikte që paragjykojnë a kanë faj apo jo të larguarit, mirë çdo anëtari të ekzekutivit dhe çdo funksionar që është ngrit procedura penale kundër tyre atëherë duhet të largohen nga ato funksione sepse kjo në një far mënyrë e tregon se pushteti po i mbron njerëzit të cilët kanë aktakuza”, është shprehur Maliqi.

Më tej ai tha se PDK ka bërë një hap pozitiv, pasi që sipas tij, në vendin tonë tashmë është bërë e zakontë të marrin detyra dhe pozita të larta personat të cilët kanë padi.

“Këtu është bërë diçka e zakontë pasi që tek ne caktohen në ambasada apo këshilltar këta persona me padi. Në këtë aspekt tregon se PDK po reformohet ose ka bërë një hap pozitiv, nuk e paragjykoj Çekun a dhe të tjerët, por sigurisht që ka elemente të cilat i ngarkojnë ata meqë prokuroria i ndjek”, tha ai për Indeksonline.

Ndryshe, sot kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara./Indeksonline/