Vendimi i Supremes, LDK: Secili veprim në qeveri jokushtetues dhe joligjor

Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, është deklaruar pas dorëzimit në Prokurorinë Speciale të vendimit të djeshëm të Supremes lidhur me arkat fiskale.
Mustafa para mediave tha se vendimi i gjykatës konfirmon që kryeministri në detyrë dhe disa ministra kanë vepruar jashtëligjshëm pasi janë certifikuar si deputetë, më 27 mars.
“Dje Gjykata Supreme ka nxjerr një aktgjykim ku konfirmon atë që ka thënë LDK-ja tashmë disa muaj. Këtë aktgjykim e kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar në muajin maj 17 kallëzime penale për ish- kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij, ku në mars janë certifikuar si deputetë të kuvendit. Aktgjykimi i djeshëm e ka konfirmuar të njëjtën gjë, ku një deputet i certifikuar nuk mund njëkohësisht të ushtrojë detyrën në ekzekutiv dhe të jetë kryeministër në detyrë. Nga 27 marsi deri sot kanë zaptuar qeverinë, kryeministrinë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë – kushtetuese si kryeministër në detyrë, ku në fakt janë deputetë të certifikuar si gjithë 120 deputetët e tjerë në Kuvendin e Kosovës. Kjo i bie që nga 27 marsi mund secili deputet të shkojë në ministri dhe të ulet në kolltukun e ministrit dhe të nxjerrë vendime dhe të shfrytëzojë buxhetin e shtetit në mënyrë të jashtëligjshme. Secili veprimi i tyre në qeveri dhe ministri është jokushtetues dhe joligjor. Këtë e ka vërtetuar qartazi dje Gjykata Supreme”, tha Mustafa.
Derisa deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike Alban Zogaj, tha se çdo vendim qeveritar pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm, duke kërkuar që Prokuroria Speciale të veprojë dhe të marrë masa.
“Sot e dorëzuam edhe një dokument shtesë për t’i kërkuar Prokurorisë Speciale se çdo vendim që është marrë pas certifikimit të zgjedhjeve është vendim i jashtëligjshëm. Qëndrimi i kryeministrit në detyrë dhe ministrave të tjerë në detyrë është i jashtëligjshëm. Prokuroria duhet të veprojë dhe kjo duhet të jetë sinjal që të zhbllokohet situata. Kemi dorëzuar kallëzime penale për të gjithë ministrat që mbajnë dy pozita”, deklaroi Zogaj para mediave.