75 Mall Live Search
21:58 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / Z S

Vendimi i Supremes për Junikun, reagon Shehu: Propaganda mori përgjigjen e duhur

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjektit politik: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 24 tetor 2025.

Lidhur me këtë ka reaguar kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu.

Sipas Shehut, që nga 12 tetori deri më sot, AAK dega në Junik kanë zhvilluar një fushatë propaganduese të ulët, me ç’rast ata kanë tentuar të arsyetojnë dështimin e tyre në rundin e parë të zgjedhjeve.

Po ashtu Shehu është shprehur se ata nuk e dëshirojnë demokracinë dhe janë kundër ligjshmërisë.

Postimi i plotë:

Të dashur junikas,

Që nga 12 tetori deri më sot, AAK dega në Junik kanë zhvilluar një fushatë propaganduese të ulët, me ç’rast ata kanë tentuar të arsyetojnë dështimin e tyre në rundin e parë të zgjedhjeve.

Siç dihet, ata kanë bërë ankesë sa i përket listës së votuesve në Junik. Kjo ankesë e tyre është dy herë në PZAP. Ndërsa sot edhe Gjykata Supreme si instanca më e lartë gjyqësore në shtetin e Kosovës, ka publikuar vendimin AA.nr.100/2025 përmes të cilit po ashtu e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit AAK dega në Junik. Me fjalë të tjera, pretendimet e tyre ankimore janë refuzuar në të gjitha instancat kompetente gjyqësore.

Propaganda e tyre sot morri përgjigjen e duhur gjyqësore. Ata nuk e dëshirojnë demokracinë dhe janë kundër ligjshmërisë. Prandaj kanë humbur jo vetëm zgjedhjet por edhe betejat gjyqësore.

Por duke i njohur taktikat e tyre të bërjes së politikës, nuk quditemi nëse ata do të gatuajnë edhe ndonjë propagandë tjetër nesër, duke qenë se kjo puna e mbiemrave duke përmendur vajzat dhe djemtë e junikasve nuk ju zgjati shumë.

Megjithatë, përgjigja e junikasve do të jetë më 9 nëntor në kutiat e votimit, pa çka se shumë përgjigje tjera do të marrin edhe nga organet kompetente ligjore. Deri atëherë kërkojmë nga të gjithë qytetarët e Junikut që të ruajnë qetësinë por edhe besimin e plotë në institucionet tona të drejtësisë.

Juniku është i junikasve. Asnjë propagandë nuk mund të rikthejë Junikun në vitet 2009-2021, periudha 12 vjeçare kur Juniku ka ngecur aq shumë sepse ka qenë nën kthetrat e atyrë që as nuk janë të Junikut dhe as nuk shqetësohen për nevojat e Junikut. Kjo epokë ka përfunduar përgjithmonë./Indeksonline/