“Vendimi nuk na e kthen djalin, por pamë një rreze drejtësie”, familja e Martin Canit reagon pas dënimit të autorit me 16 vite burg
Familja e Martin Canit, të miturit të vrarë me thikë një vit më parë pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të dënuar autorin e vrasjes, Mario Perlleshaj, me 16 vite burg.
DEKLARATË PËR SHTYP – FAMILJA CANI
Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falënderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tonë me:
• Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
• Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
• Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.
Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.

