Vendimi për ndalimin e mjeteve të rënda nuk po zbatohet sa duhet

Temperaturat e larta kanë sjellë kufizime edhe në qarkullim, siç është vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës që ndalon lëvizjen e mjeteve të rënda. Sipas tyre, vendimi është marrë për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit gjatë orëve më të nxehta të ditës. Por sa po zbatohet ky vendim?
Ditë më parë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi për një masë të re kufizuese, sipas së cilës ndalohet qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 15 ton në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale, në orarin prej 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
RTK qëndroi në terren për të parë zbatimin e këtij vendimi. Në kohën kur do duhej të respektohej vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili ndalon qarkullimin e mjeteve të rënda mbi 15 ton, megjithatë shumë prej tyre u panë duke lëvizur lirshëm nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit e vlerëson këtë vendim të vonuar.
Këto temperatura i kemi që nga qershori dhe mendojmë se ky është një vendim i vonuar. Deformimi rrugor është një nga elementet që shkakton aksidente në komunikacion dhe konsiderohet si pjesë e faktorit rrugë.
Kufizimi i qarkullimit të automjeteve me peshë të rëndë mbi 12 tonë është një masë parandaluese për shkak të temperaturave mbi 33°C. Kjo ndalesë, sipas ministrisë, vlen nga 23 deri më 28 korrik.
Sipas tyre, vendimi mund të ndryshohet në varësi të kushteve klimatike gjatë ditëve në vijim, ndërsa përgjegjës për zbatimin e tij thuhet se janë Policia, Drejtoria e Inspeksionit të Ministrisë së Mjedisit, si dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese./RTK