14:27 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

Vendosen rreth 2000 tabela emërtuese në rrugët e Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me Helge Onsrud nga Autoriteti Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi, zëvendësministri i Mjedisit, Gjergj Beka dhe kryshefi i Agjencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmeti, kanë inauguruar sot sistemin e adresave, pasi tashmë janë vendosur 1923 tabela emërtuese në rrugë dhe sheshe.

“Ne jemi bërë me adresa. Nuk i kemi më tri adresa siç ka ndodhur deri tash sepse qytetarët i kanë përdorë të vjetra, disa të pasluftës e disa adresa të ish-strukturave. Me konsensus, Kuvendi Komunal i ka miratuar këto adresa, pa dallim partiak, etnik a grupor. Gabimet teknike dhe gabimet tjera, një Komision i veçantë për shqyrtim të ankesave do të merret dhe do t’i rekomandoj Kuvendit Komunal për përmirësim. Nga 1923 tabela që janë vendosur, ankesa me shkrim janë rreth 50, ndërsa pritet të deponohen mbi 150 ankesa. Ky është investim kapital dhe faleminderit për mbështetjen shtetit të Norvegjisë’, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri ka kërkuar nga institucionet publike si, Hidromorava, Ecohigjiena, KEDS etj., që tash e tutje t’i përdorin për faturim adresat e reja.

Zëvendësministri i Mjedisit, Gjergj Beka, ka përgëzuar komunën e Gjilanit për realizimin e këtij projekti, përmes të cilit tha se do të përfitojnë të gjithë qytetarët.

Avni Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale e Kosovës, tha se së bashku do ta implementojnë edhe fazën përfundimtare të kompletimit të sistemit të adresave që është vendosja e numrave të shtëpive.

Helge Onsrud nga Autoriteti Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi, pas ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin në projektin e sistemit të adresave, tha se beson që secili qytetar i komunës së Gjilanit dhe secili institucion do të ketë mundësi t’i shijoj benifitet prej një adrese unike, si në ofrimin e shërbimeve, ashtu edhe të pranimit të shërbimeve.

Fjalë falënderimi për mbështetjen e këtij projekti ka shprehur edhe kryetari i Komisionit Komunal për emërtimin e rrugëve e shesheve, Fehmi Agushi.