Vendosen shenjëzime të reja në hapësirat e QKUK-së

Brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po vendosen shenjëzime të reja orientuese. Nga QKUK kanë thënë se kjo do të lehtësojë qasjen dhe qarkullimin për pacientët dhe qytetarët.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton opinionin publik se brenda hapësirave të QKUK-së, po realizohet vendosja e shenjëzimeve të reja orientuese, me qëllim lehtësimin e qasjes dhe qarkullimit për qytetarët, pacientët dhe vizitorët.
Ky proces përfshin shenjëzime të reja rrugore dhe vendkalime për këmbësorë (zebrat), të cilat synojnë të eliminojnë tollovitë dhe të përmirësojnë orientimin dhe lëvizjen brenda kompleksit spitalor. QKUK-ja, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe stafit në rast të ndonjë vështirësie të përkohshme në komunikacion gjatë kryerjes së këtyre punimeve, duke theksuar se këto ndërhyrje po bëhen në funksion të rritjes së rendit, sigurisë dhe lehtësimit të qarkullimit në hapësirat spitalore”, thuhet në komunikatën për media.