Vendoset gur themeli i objektit të odave të profesionistëve shëndetësorë
Në një ceremoni solemne është vënë gur themeli i objektit të odave të profesionistëve shëndetësorë, e ku ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky projekt i shumëpritur do të krijojë hapësirën e përbashkët për funksionimin e Odës së Mjekëve, Stomatologëve, Farmacistëve, Infermierëve dhe Fizioterapeutëve, duke forcuar rolin e profesionistëve shëndetësorë dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët, raporton Ekonomia Online.
“Sot këtu në vendosjen e gurthemelit të një institucioni të rëndësishëm për sistemin shëndetësor më në fund po realizohet projekti i shumëpritur për ndërtimin e këtij objekti ku do të gjejë funksionimin e tyre odat e profesionistëve tanë shëndetësorë, Oda e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, Infermierëve, Fizioterapeutëve dhe kjo natyrisht e bën shumë më mirë të ardhmen e shëndetësisë sonë pasi që këto oda e kanë për detyrë dhe qendër të vëmendjes profesionistin shëndetësor dhe si i tillë e dimë që pa ndihmën e këtyre profesionistëve sistemi shëndetësor nuk mund të ecë përpara. Edhe si ministër edhe si qeveri garantojmë që dyert do të jenë të hapura brenda kompetencave për secilën nga odat që secila nga reformat të shtyhen përpara në mënyrë që qytetarët tanë të marrin shërbime sa më të mira shëndetësore në të ardhmen”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për sigurimin e tokës dhe e cilësoi projektin si model bashkëpunimi për iniciativa të tjera në sektorin e shëndetësisë, përfshirë edhe propozimin për spitalin e kryeqytetit.
“Ne si kryeqytet kemi pasur nderin me bashkëpunuar dhe me gjetur tokën për Odën e Mjekëve, faleminderit për ministrin Vitia për një bashkëpunim të mrekullueshëm në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratës së kryeqytetit, se pa bashkëpunime gjërat nuk ndodhin. Uroj që ky të jetë model i bashkëpunimit tonë me nivelin qendror edhe për shumë projekte të tjera të radhës, ku kemi propozimin për spitalin e kryeqytetit. Sot le të jetë një fillim i mrekullueshëm në sektorin e shëndetësisë për gjithë vendin tonë, posaçërisht për Odën e Mjekëve”, tha Rama.
Ambasadori Patrick Heck theksoi se bashkëpunimi është thelbësor dhe se Luksemburgu është krenar për kontributin e tij 20-vjeçar në Kosovë.
“Pa bashkëpunim të plotë, jeta bëhet më e vështirë, siç e dini edhe ju. Ne në Luksemburg jemi shumë krenarë për punën e bërë në sektorin e shëndetësisë, por edhe në sektorë të tjerë gjatë këtyre 20-vjetëve. Kemi qenë pjesë e inovacionit të spitaleve të fëmijëve, sapo kemi përfunduar Departamentin e Kardiologjisë në Spitalin e Prishtinës, por edhe shumë projekte të tjera janë realizuar”, ka theksuar ai.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se prezenca dhe mbështetja e vazhdueshme e partnerëve që nga dita e parë dëshmon besimin në këtë projekt.
“Prezenca juaj tregon që nga dita e parë keni besuar në këtë projekt, na keni ndihmuar, më në fund sot po fillon të realizohet me përkushtim nga Ambasada e Luksemburgut, besoj që nuk do të jetë projekti i fundit për shëndetësinë”, tha ai.

