15:36 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Vendosin mjekët në QKUK: Polici i plagosur të dërgohet jashtë vendit për operacion

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Artur Mrasori mbeti i plagosur si pasojë e shpërthimit të një eksplozivi në një shtëpi në Zhur të Prizrenit ku edhe po kryhej një operacion policor anti-drogë.

Që nga e marta Artur Mrasori vazhdon të jetë i shtrirë në Klinikën Intensive të QKUK-së. Por tashmë atij i duhet të transferohet jashtë Kosovës, për mjekim të mëtutjeshëm.

Drejtori i Klinikës Intensive, Dr. Shaqir Uka ka bërë të ditur se koncersiumi i mjekëve ka vendosur që Artur Mrasori ka nevojë edhe për një ndërhyrje kirurgjike në syrin e majtë dhe për këtë duhet të transferohet diku jashtë Kosovës.

“Koncersiumi i mjekëve të kirurgjisë së syrit ka vendosur që duhet të bëjë edhe një intervenim kirurgjik në syrin e majtë, një intervenim kirurgjik i cili nuk ka mundësi të bëhet në vendin tonë, për këtë arsye ai duhet të dërgohet menjëherë jashtë vendit”, tha Uka.

Ai shtoi se nuk është vendosur ende për spitalin gjegjësisht për vendin se ku duhet të dërgohet.

Uka deklaroi se një gjë e tillë do të vendoset së shpejti, por që sipas tij është mirë që sa më parë të bëhet ndërhyrja.

Si pasojë e eksplozivit të vendosur në shtëpinë e të dyshuarit Iran Badalli humbi jetën polici Sami Thaqi, pësoi lëndime të rënda Artur Mrasori si dhe lëndime tjera trupor mori dhe pjesëtari i policisë, Jetmir Hasanaj./Indeksonline/