11:44 / E Enjte, 22 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vendosja e taksës, vjen reagimi i LDK-së

Vendosja e taksës prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që hyjnë në Kosovë, ka ngjallur reagime të shumta te institucionet e dy shteteve përkatëse.

Këtë vendim e kanë mirëpritur të gjithë institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë, duke e mbështetur atë, shkruan Indeksonline.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se Qeveria duhet të ofroj refleksione mbi ndikimin që mund të ketë ky vendim ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë në një prononcim për Indeksonline se tani pret që Qeveria të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me sektorin privat në Kosovë.

“Pas vendimit të Qeverisë që të rrisë masën doganore ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, LDK kërkon nga Qeveria të ofrojë refleksione mbi ndikimet sociale, ekonomike dhe politike për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht, presim që Qeveria të bashkëpunojë ngushtë me sektorin privat që urgjentisht të ndërmarrin reformat e nevojshme ekonomike dhe administrative për zhbllokimin e potencialit zhvillimor të ndërmarrjeve kosovare”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se LDK veçanërisht pret masa të koordinuara mirë që përforcojnë konkurrueshmërinë, ndërlidhjen në zinxhirët e vlerave globale dhe ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve kosovare.

Mustafa ka bërë të ditur se LDK, si parti e qendrës së djathtë, përkrah politikat dhe parimet demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë. /Indeksonline/

Temat: