75 Mall Live Search
11:23 / E Shtunë, 13 Qershor 2026 / F.R

Veprim i papritur i ish-kryeministrit të Kanadasë, injoron kombëtaren e tij për të ndjekur Katy Perryn në ndeshjen e SHBA-së

Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është vënë në qendër të kritikave në rrjetet sociale pasi u pa duke ndjekur ndeshjen hapëse të Shteteve të Bashkuara në Botërorin 2026, ndërsa kombëtarja kanadeze luante ndeshjen e saj të parë në turne.

Trudeau, 54 vjeç, u fotografua në një suitë luksoze në SoFi Stadium së bashku me partneren e tij, Katy Perry, e cila interpretoi himnin kombëtar amerikan gjatë ceremonisë së hapjes së Botërorit në Los Angeles.

Këngëtarja u shfaq në skenë me një fustan të gjatë argjendi me shkëlqim, duke hapur spektaklin që përfshiu edhe performanca nga Tyla dhe Anitta.

Megjithatë, prania e Trudeau në ndeshjen SHBA–Paraguai nuk u prit mirë nga shumë kanadezë. Në platformën X, përdorues të shumtë shprehën zemërimin e tyre, duke kritikuar ish-liderin politik për mungesën e mbështetjes ndaj kombëtares së vendit të tij.

Komentet varionin nga akuza se ai kishte zgjedhur dashurinë para patriotizmit, deri te kritika më të ashpra që e cilësonin si një figurë të shkëputur nga ndjenjat e kanadezëve.

Çifti ka qenë në qendër të vëmendjes që prej verës së vitit 2025, kur u përfol për herë të parë lidhja mes tyre pas një darke në Montreal. Marrëdhënia u konfirmua publikisht disa muaj më vonë dhe që atëherë të dy janë parë shpesh së bashku në evente publike.

Së fundmi, Perry e quajti Trudeau-n “dashurinë e jetës së saj” gjatë premierës së filmit koncertor të saj, duke folur hapur për marrëdhënien e tyre.

Ndërkohë, Trudeau, i cili u largua nga posti i kryeministrit në vitin 2025 pas një periudhe të vështirë politike dhe rënies së popullaritetit, duket se po shijon jetën larg politikës, duke u fokusuar te projektet personale dhe romanca me superyllin e muzikës pop.