Veprimet e qeverisë së re “rinisja” e dialogut strategjik me SHBA-në
Në kohën kur Kosova është në pritje të formimit të institucioneve të reja, kuvendit dhe qeverisë së re, SHBA-ja ka dhënë sinjale se është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e dialogut. Presidenti i Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, e quan shumë të rëndësishme formimin e një Qeverie stabile të Kosovës.
“Prioriteti i parë është një qeveri stabile. Kemi një vit kohë që e kemi djegur me jostabilitet të brendshëm politik. Pasi të krijohen institucionet, duhet të punohet menjëherë që të sjellet kryeministri në Uashington për takime të nivelit të lartë”, tha Vulaj.
Ndërkohë, ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se dialogu strategjik SHBA–Kosovë e vendos vendin në një kornizë partneriteti me fuqinë kryesore globale.
“Dialogu strategjik është themel i vetë arkitekturës së shtetit të Kosovës. Sinjalet që vijnë nga Uashingtoni për freskimin e marrëdhënieve duhet të lexohen drejt. Kjo tregon se SHBA-ja është e interesuar të vendosë marrëdhënie më të besueshme me institucionet e Kosovës”, tha Muja për rtv21.
Sipas presidentit të Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane dhe ligjëruesit të shkencave politike, dialogu strategjik SHBA–Kosovë ka rëndësi të madhe si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
“Të gjitha këto funksionojnë si një zinxhir i përbashkët. Me një koordinim më të ngushtë mund të realizohet krijimi i kushteve për investime amerikane”, tha Vulaj
“Rivendosja e dialogut strategjik ka rëndësi jetike për tri arsye: e para, ndikon në pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë; e dyta, ndikon në proceset e njohjeve dhe integrimeve ndërkombëtare; dhe e treta, dialogu strategjik ndikon në sigurinë e brendshme dhe atë rajonale”, u shpreh Muja
SHBA-ja e pezulloi dialogun me Kosovën në shtator të vitit të kaluar për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë “Kurti”./Indeksonline/

