75 Mall Live Search
17:43 / E Martë, 18 Shkurt 2025 / LB

Verifikimi i pakove me fletëvotime nga diaspora, deri tani mbi 2 mijë të refuzuara

Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, këtij procesi i janë nënshtruar 28,099 pako, prej të cilave janë aprovuar 26,013, ndërkaq janë refuzuar 2,057.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media tha se arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë, etj.

“Në përgjithësi, gjatë votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime dhe vetëm në përfundim të procesit të verësimit të tyre, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit”, ka thënë Elezi, transmeton IndeksOnline.

Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, por votuan vetëm 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas./IndeksOnline/