75 Mall Live Search
12:31 / E Enjte, 29 Janar 2026 / S Z

Vërshimet e janarit, AME: U trajtuan mbi një mijë raste dhe 42 persona u evakuuan nga zonat e rrezikut

Drejtoria e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent kanë bërë të ditur se në kuadër të koordinimit operacional për vërshimet me të cilat u përballën disa zona të Kosovës, na janar të këtij viti, kanë trajtuar mbi një mijë raste, ndërsa kanë realizuar 194 intervenime në vërshime si dhe kanë evakuuar 42 persona nga zonat e rrezikut, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu, në konferencën për media të thirrur pikërisht për të dhënë detaje për situatën e krijuar nga vërshimet e fundit, e ku edhe tha se kanë nxjerrë rekomandime, e ndër to është edhe ndaimi i ndërtimeve në zonat më të rrezikuara nga vërshimet.

“Niveli qendror dhe ai lokal kanë qenë në gatishmëri të plotë që nga momentet e para, duke koordinuar të gjitha aktivitetet bazuar në situatën e krijuar në terren. Pas paralajmërimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kemi aktivizuar me të gjitha kapacitetet Qendrën Operative të AME-së, ndërsa të gjitha kërkesat e pranuara përmes Qendrës Operative Regjionale 112 janë proceduar pa vonesa, duke mundësuar një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe efikas në të gjitha zonat e prekura”, tregoi ai.

Ai paraqiti edhe të dhënat statistikore për koordinimin operacional gjatë kësaj situate.

“Në kuadër të koordinimit operacional janë trajtuar gjithsej 1,007 raste, janë realizuar 196 intervenime në vërshime, 24 thithje uji me pompa të kapacitetit të lartë, 63 intervenime teknike, si dhe janë evakuuar 42 persona nga zonat me rrezik”, bëri të ditur drejtori i AME-së.

Abdullahu foli edhe për vlerësimin e rrezikut të pendës në komunën e Malishevës, i cili është realizuar nga ekspertët institucionalë.

“Zyrtarët e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, në bashkëpunim me ekspertë nga ministritë përkatëse, kanë realizuar vlerësimin e rrezikut të pendës në komunën e Malishevës, ndërsa nga raporti vlerësues rezulton se shkaktarët e vërshimeve lidhen me dëmtime në trupin e pendës, mangësi në ndërtimin e saj, si dhe me reshjet e mëdha atmosferike dhe grumbullimin e sasive të mëdha të ujërave që kanë tejkaluar kapacitetet grumbulluese të ujëmbledhësit”, tha ai.

Në vlerësimin e tij, reagimi ndaj kësaj situate ka qenë i suksesshëm, por kërkon përmirësime të vazhdueshme.

“I gjithë reagimi institucional në këtë situatë me vërshimet ka qenë i suksesshëm dhe ka parandaluar pasoja më të rënda për jetën e qytetarëve dhe infrastrukturën kritike, gjë që dëshmon për efikasitetin institucional. Megjithatë, mbetet e nevojshme që të ndërmerren veprime konkrete për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e pajisjeve”, u shpreh Abdullahu.

Drejtori i AME-së paraqiti rekomandimet kryesore të dala nga analizat dhe vlerësimet e agjencisë.

“Nga analizat dhe vlerësimet tona kemi nxjerrë disa rekomandime konkrete, duke përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të shtretërve të lumenjve, monitorimin e vazhdueshëm të zonave me rrezik të lartë, hartimin dhe zbatimin e planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarjen e qartë të përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara nga vërshimet, rritjen e kapaciteteve të reagimit emergjent përmes trajnimeve dhe pajisjes adekuate, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm”, tha ai.

Gjitha këto veprime, ai thotë të jenë marrë në bashkëpunim ndërinstitucional.

“Ekipet e specializuara të AME-së, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë realizuar intervenime të shumta, të cilat kanë përfshirë thithjen e ujit me pompa të kapacitetit të lartë në objekte me rëndësi të veçantë në KEK dhe KESCO, vendosjen e barrierave kundër vërshimeve dhe thasëve me rërë në Mitrovicë, si dhe evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara”, theksoi Abdullahu.

Vërshimet kanë prekur disa komuna të Republikës së Kosovës, përfshirë Malishevën, Gjakovën, Klinën, Junikun, Drenasin, Skenderajn, Mitrovicën, Suharekën, Gjilanin dhe Prishtinën.