Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha në stadium, Drenica kërkon ndihmë
Vërshimet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë qytetet të Kosovës, në mesin e tyre edhe qyteti i Skenderait.
Nga këto vërshime e ka pësuar edhe klubi i Drenicës, ku stadiumi ”Bajram Aliu” u mbulua nga uji, duke shkaktuar dëme në fushë e po ashtu edhe brenda zhveshtores dhe pjesës tjetër të stadiumit, shkruan IndeksOnline.
Skuadra e Drenicës në muajt e fundit ka investuar që stadiumi të ketë kushte sa më të mira, por fatkeqësisht pas këtyre vërshimeve, u kthye në gjendje të pashfrytëzueshme, brenda pak orëve.
Pas kësaj situate, Drenica ka apeluar për ndihmë nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport në Qeverinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
THIRRJE PËR NDIHMË – FC Drenica ka nevojë për përkrahjen tuaj
Me shumë mund, përkushtim dhe shpresë, gjatë muajve të fundit kemi punuar që fusha e stadiumit të FC Drenicës t’i ketë kushtet që i meriton. Ishte një investim i bërë me zemër, për lojtarët tanë, për klubin dhe për gjithë qytetin.
Fatkeqësisht, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke e kthyer stadiumin në një gjendje të pashfrytëzueshme. Brenda pak orësh, gjithçka që u ndërtua me aq përkushtim u përball me një goditje të rëndë nga natyra.
Fotot flasin vetë – si ka qenë fusha më parë, si u ndërtua pas investimeve dhe si duket sot pas kësaj fatkeqësie.
Ne besojmë se këto pamje prekin secilin që e do sportin dhe të ardhmen e tij në Kosovë.
Shpresë dhe lutje drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës
Me besim të plotë në shtetin tonë, i drejtohemi me respekt Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve tjera duke shpresuar në ndihmën dhe përkrahjen e tyre në këtë moment të vështirë për klubin tonë, atyre që duan ta shohin sportin duke përparuar e jo duke u shkatërruar.
Ndihma institucionale është jetike që stadiumi të rregullohet dhe që FC Drenica të ketë mundësi të vazhdojë garat në kampionat. Pa këtë përkrahje, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë ndoshta edhe e pamundur të vazhdojmë rrugëtimin sportiv.
Thirrje për solidaritet
FC Drenica është më shumë se klub futbolli. Është pjesë e historisë sonë, e rinisë sonë dhe e krenarisë sonë. Sot, kërkojmë ndihmën e të gjithë atyre që besojnë në sport, në punën e ndershme dhe në të ardhmen.
Me ndihmën tuaj, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u japim lojtarëve tanë kushtet që i meritojnë.
Kërkojmë ndihmë në mënyrë që të kemi mundësi ta përmirësojmë infrastrukturën përgjithmonë – për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm.
Drenica është e Kosovës!/IndeksOnline/

