75 Mall Live Search
19:22 / E Premte, 28 Janar 2022 / MSH

Vërshohet nga kritikat, reagon Komiteti Olimpik pas vlerësimit për FFK-në

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas akuzave të bëra karshi tij, lidhur me vlerësimin e bërë për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Sipas KOK-ut, vlerësimi për Federatën e Futbollit është bazuar në Rregulloren për Kategorizimin e Sporteve.

Ky është reagimi i plotë i KOK-ut:

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dëshiron të sqarojë opinionin dhe të gjitha mediat, të cilat hodhën lumë akuzash për shkak të vlerësimit të bërë për Federatën e Futbollit të Kosovës.

KOK, duke vlerësuar punën korrekte të bërë nga komisioni për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, reagon ashpër veçanërisht ndaj shkrimit të gazetës “Bota Sot”, në të cilin mes tjerash thuhet se “Komisioni ka vendosur gjithnjë sipas kritereve që i posedojnë ata”!, “Por për Komisionin pesë anëtarësh, futbolli është sport si duket i dorës së dytë, si duket edhe basketbolli i dorës së dytë, edhe hendbolli si duket i dorës së dytë!

Me këtë rast, KOK konsideron se i gjithë vlerësimi i komisionit, si në rastin e futbollit, ashtu edhe të të gjitha federatave tjera, është bazuar në Rregulloren 04/2018 për Kategorizimin e Sporteve

Federatës së Futbollit të Kosovës, i janë vlerësuar të gjitha pikët, në të cilat ka pasur dëshmi, ndërsa nuk i janë vlerësuar dy pikë tek pika e 14-të “Kriteret e ngritjes së kapaciteteve”, me ç’rast nuk ka sjell dëshmi të posedimit të Planit Strategjik, ashtu siç e parasheh Neni 14, Pika 1.1 dhe 2 e Rregullores.

E njëjta dëshmi i është kërkuar federatës, edhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, por që as herën e dytë nuk është sjell!

Po ashtu, krahas futbollit, sportet si basketbolli dhe hendbolli, të cilat përmenden në shkrimin e “Bota Sot” si sporte të dorës së dytë, komisioni të dyja këto sporte i ka vlerësuar deri në katër pikë më shumë krahasuar me vlerësimin e fundit.

KOK gjithashtu informon të gjitha palët e pakënaqura me vlerësimin, se ankesat mund t’i dërgojnë në afat prej tetë ditësh, pas dërgimit të raportit në detaje, ankesa këto që do të shqyrtohen nga komisioni i ankesave.