Veseli: Brovina ka bërë një gabim të madh por pa dashje, është dashur të konsultohet edhe me ne
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference për media ka reaguar ndaj veprimit të deputetes nga kjo parti, Flora Brovina.
Brovina dje para mediave ka publikuar një fotografi në të cilën shihen disa persona të veshur si ushtarë teksa kryejnë marrëdhënie seksuale me një grua.
Ajo pretendonte se ajo fotografi ishte e bërë në Kosovë gjatë dhunimit të një gruaje nga forcat serbe. Mirëpo, fotografia doli të jetë e nxjerrë nga një video pornografike.
Veseli veprimin e Brovinës e ka cilësuar gabim të madh por të bërë pa dashje.
“Zonja Flora Brovina, ditën e djeshme, ka bërë një gabim të madh, por unë besoj që e ka bërë pa dashje. E them këtë, sepse e njoh Florën, veprimtarinë e saj, humanizmin e saj, ashtu siç e njeh gjithë Kosova. Gjithsesi, është dashur të konsultohet më herët për atë veprim qe e ka ndërmarrë, para se të vinte në seancë. Por, ne duhet të nxjerrim mësime edhe nga ky gabim. Ky gabim pikërisht na dëshmon nevojën që trajtimi i së kaluarës të bëhet në mënyrë profesionale, e jo te ngutur dhe emocionale. Na dëshmon nevojën për institucione të specializuara me ekspertë të mirë kualifikuar, që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze e të verifikuara”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se pavarësisht të gjithave iniciativa e tij për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar që do të dënoj krimet e serbëve ndaj shqiptarëve nuk do të ndalet.
Ndryshe Brovina gjatë ditës është intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Pas intervistimit, në një deklaratë para mediave, ajo ka kërkuar falje duke thënë se “fotografia mund të jetë e falsifikuar”. /Indeksonline/