Veseli e Haradinaj nderojnë Rasim Kiqinën e Ragip Halilajn në 19 vjetorin e rënies
Në një akademi përkujtimore me rastin e 19 vjetorit të rënies janë kujtuar dëshmorët Rasim Kiqina dhe Ragip Halilaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se 19 vite më herët kanë kaluar sfida bukur të rënda gjitha ato ditë në përballje me forcat e armikut. Zona Operative e Drenicës ka qenë më rezistentja duke bërë një luftë që ka qenë shumë frontale duke marrë shumë djem dhe vajza.
Veseli ka kujtuar edhe momentin e rënies se Ragipit dhe të Rasimit duke thënë se ishte një humbje e madhe. Por, ai tha se ajo sakrificë e tyre është kurorëzuar me lirinë e Kosovës.
Veseli është shprehur se UÇK dhe trimat të prirë në komandanti legjendar Adem Jashari e të tjerët arritën të mposhtnin armikun më të madh.
“Sot Kosova është një shtet që është stabil dhe që ec në rrugën e saj euroatlantike. Duhet të kemi më shumë besim tek shteti i Kosovës, në mënyrë që ky komb të ec përpara. Kjo do të jetë rruga jonë. Familjarëve duhet të jenë krenar me bijtë që i kanë pasur se ata kanë qenë shumë trima. Unë kam pasur nderin të jem krah tyre në luftën për lirinë e Kosovës”, tha Veseli.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është shumë me rëndësi tradita e nderimit për të rënët për lirinë.
“Ndoshta tash nuk është freskia e dhimbjes së humbjes, por që të mos na kthehet dhimbja duhet t’i nderojmë. Sot ne vërtetë po bëjmë një punë të mirë duke i nderuar dy luftëtarë”, tha Haradinaj.
Po ashtu, ai tha se Zona Operative e Drenicës është zona që ka qenë epiqendra e luftës për liri.
“I ka ra barrë e madhe, por i ka ra edhe me mbajt flamurin. Ne sot në kohën e lirisë jemi të vetëdijshëm për rrugën tonë deri këtu, jemi të vetëdijshëm se këtë rrugëtim duhet ta kurorëzojmë me shtetin e plotë të Kosovës. Nuk e tradhtojmë idealin tonë të lirë duke e forcuar shtetin tonë. Në fakt e forcojmë shqiptarinë kudo që është. Ne i gëzohemi sukseseve të Shqipërisë, në të njëjtën kohë e gëzojmë Shqipërinë me arritjet tona”, tha kryeministri.
Haradinaj në shenjë mirënjohje për familjen Kiqina dhe Halilaj ka ndarë flamuj të shtetit shqiptar.