75 Mall Live Search
10:24 / E Mërkurë, 06 Mars 2019 / indeksADMonline

Veseli: Epopeja e UÇK-së ndryshoi rrjedhën e historisë, sot askujt nuk i frikësohemi!

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz në përvjetorin e 21-të të Epopesë së UÇK-së.

Kryeparlamentari Veseli tha se Epopeja e UÇK-së, e cila, me Komandantin Legjendar Adem Jashari, me luftën, qëndresën dhe sakrificën e tij, ndryshoi rrjedhat e zhvillimeve të gjithëmbarshme të kombit tonë.

 “Sot ne jemi krenarë dhe ecim bashkërisht përpara në rrugën e forcimit të shtetit e të integrimit euro-atlantik. Askush nuk mund të na dalë përpara dhe askujt nuk i frikësohemi. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Ajo do të jetë më e zhvilluar, më e fuqishme dhe më sovrane, edhe për faktin se ka orientim të qartë të partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. Po ashtu, ka orientim të qartë edhe sa i përket zhvillimit të vet të gjithmbarshëm, por edhe të fqinjësisë së mirë me fqinjët e saj”, tha Veseli.

Ai ka shtuar se nuk ka gjë më të mirë se sa pas dy dekadave në Drenicën dhe Skenderajn e lirë ta kemi kryetar komune nipin e komandantit Adem Jashari.

 “Jam këtu së bashku me kryetarin e Komunës së Skenderajt, i cili është pjesë e kësaj lavdie, e kësaj sakrifice dhe e këtij kontributi. Nuk ka gjë më të mirë se sa dy dekada pas kësaj rënieje heroike, në Kosovën, në Drenicën dhe në Skenderajn e lirë, ta kemi kryetar komune pikërisht nipin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Lavdi dhe respekt të gjithë atyre që kanë sakrifikuar dhe familjeve të tyre”, theksoi Veseli./Indeksonline/