11:32 / E Shtunë, 04 Prill 2020 / indeksADMonline

Veseli: I bëj thirrje Qeverisë të marrë masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasëve tanë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se ka biseduar në telefon me me ambasadorët e Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Francë.

Ai tha se i telefonoi ata për t’u interesuar për gjendjen e diasporës në këto vende në kushtet e pandemisë.

“Duhet të jemi mirënjohës ndaj vendeve pritëse për kujdesin që po tregojnë për bashkëatdhetarët tanë por edhe të krenohemi me shërbimin tonë diplomatik për dedikimin që po dëshmon. U gëzova kur më treguan se edhe bizneset e diasporës janë mobilizuar në solidaritet për të ofruar mbështetje për studentët e Kosovës të mbetur jashtë, prandaj me të vërtetë meritojnë të lavdërohen”.

“Mirëpo, u informova gjithashtu se kemi ende qindëra shtetas që kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë gjë që e kanë të drejtë të mbrojtur nga Kushtetuta. Prandaj i bëj thirrje qeverisë në ikje të Kosovës, që sa më parë t’iu gjendet në ndihmë e të marri masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasve tanë, të cilët janë bllokuar jashtë e duan të kthehen. Po ashtu, bëj thirrje që sa më shpejt të investohet për të zgjeruar kapacitetet e karantimit të qytetarëve tanë të cilët rikthehen në vendlindje”, ka shkruar Veseli në rrjetin social Facebook.