18:24 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

Veseli: Ka fakte të bollshme, gjithë ata kanë kryer krime do të dënohen

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur se gjithë ata që kanë kryer gjenocidin serb duhet të dënohen përmes një Tribunali ndërkombëtar, pasi siç tha gjithë ata që kanë kryer krime dihen me emër dhe mbiemër.

Për gjithë neglizhencën njëzet vjeçare, kryeparlamentari u shpreh kritik dhe ndaj faktorit ndërkombëtar.

Ai gjatë mbajtjes së seancës për gjenocidin serb në Kosovë tha se mungesa e drejtësisë është plaga ma e madhe që iu është bërë viktimave të luftës në Kosovë.

“ Edhe pse si popull i sulmuar kemi pranuar çdo çmim që na është kërkuar duke iu përgjigjur çdo pretendimi për aktakuzë në Kosovë dhe në Hagë. Kemi krijuar dhe një Gjykatë Speciale, kjo është pjesa e historisë në të cilën nuk kthehemi prapa. Por, ndonëse kanë kaluar 20 vite dhe kemi shëruar shumë plagë të luftës, ato mbesin pjesë e pandashme e jona si familje dhe si komb. Plaga ma e madhe është mungesa e drejtësisë për gjenocidin që shteti serb ushtroj mbi popullin tonë gjatë luftës…dihen me emrat dhe mbiemra kush i ka kryer krimet në Kosovë. Dihet kush ishte kryetarët e komunave, kush ishin komandantët  e njësive policore dhe ushtarake, dihet njësitet ekzekutuese, dihen vendet dhe dihen orët e kryerjes së krimit. Madje ka dëshmi të bollshme, ka fakte dokumente, dëshmitar të gjithë ata presin të flasin dhe mos të heshtin, ata presin të veprojnë për t’i vënë para drejtësisë vrasësit e familjeve të tyr e”, tha Veseli.

Duke përmendur mos dënimin e serbëve për krimet e serbeve, Veseli u  shpreh se janë të zhgënjyer me këtë dhe mos reagimin e ndërkombëtarëve për të vënë drejtësinë në vend.

“Brenda në Kosovë njëri pas tjetrit kanë dështuar UNMIK-u dhe EULEX-i bashkë me ta dhe institucionet tona që duke besuar që drejtësia ndërkombëtare ka neglizhuar detyrat e tyre ligjore në këtë drejtim. Në anën tjetër Gjykata e Hagës e ka lënë në gjysmë drejtësinë për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë dhe në rastet e përfunduara ka ndodhur që krerët e gjenocidit kanë marrë dënime shumë minimale. Disa prej tyre janë liruar dhe disa janë parë duke marrë pjesë në paradat ushtarake që Serbia i organizon për të kërcënuar rajonin. Dhe për çudi përveç SHBA-ve pjesa tjetër e botës demokratike hesht. Hesht BE-ja që nuk do të duhet të heshtet. Është një heshtje që na kujton kur Millosheviqi valëviste flamurin e luftës dhe bota bënte që nuk e shihte”, u shpreh Veseli.

Seanca për gjenocidin po vazhdon edhe në këto momente ku po diskutohet për formimin e një Tribunali ndërkombëtar për gjenocid.