12:20 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

Veseli: Ka reflektime për zgjidhjen e çështjes së dialogut

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Veseli me këtë rast ka konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi, do të zhvillohet këtë të mërkurë, me datën 31 tetor.

“Ditën e mërkurë do të kemi seancën e jashtëzakonshme pas kërkesës së propozuesve, po shpresoj se jemi në rrugë të mirë për të pasur konsesus i cili është edhe interes i qytetarëve, mbrojtja e sovranitet dhe shteti dhe ndërkohë ruajtja e partneritetit me BE-në. Ky është reflektim edhe pse pata një propozim që të fillonim nga sot, të kemi një harmonizim të rezolutës së përbashkët. Qëllimi ynë është të jemi bashkë, jo kush po e bën një iniciativë në këtë moment shumë të ndieshme. Duhet të evitojmë interesat tona elektorale për momentin dhe të orientohemi tek ballafaqimi i një sfide që nuk është e re e që është Serbia.  Duhet të jetë sigurt në partitë politike, në institucionet e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovraniteti, kushtetutshmërisë, integriteti dhe mos lejimin e krijimit të pushteteve paralele ku të mund të dëmtonin Kosovën, kjo është e papranueshme. Do të kemi seancë të rregullt parlamentare ditën e enjte me disa pika të rendit të ditës por që të mërkurën do të vazhdojmë me pikat e papërfunduara që janë të bartura nga seancat e kaluara. Besojmë shumë se do të votohen të gjitha Projektligjet që janë në agjendën e Kuvendit të Kosovës dhe ky është një sukses për qytetarët tanë”, ka thënë Veseli, transmeton Indeksonline.

Veseli poashtu ka shtuar se drejtimi është që të gjithë të jenë bashkë në platformën nacionale .

“Pak më bënë përshtypje në këtë moment edhe qëndrimi i partisë sime. Ditën e mërkurë do të jetë orientim që të afrohemi me çdo kusht për çështjen e ballafaqimit me Serbinë dhe ruajtjen e bashkëpunimin me Bashkësinë Ndërkombëtare. Ftoj edhe partnerët tanë nga opozita që të lënë egot dhe inatet dhe të kalojmë në pjesën e ballafaqimit me Serbinë sepse pastaj kemi kohë më shumë për luftën për pushtet të partive politike.

Transparenca e Kuvendit është gjithnjë por edhe deputetët duhet vetë të ruajnë transparencën.

Ndarje nuk do të ketë kurrë por ne nuk duhet të rrezikojmë ndarjen tonë që mund të na krijoj një situatë imponuese, ku Serbia do të mundohet të krijojë partnerë për të dëmtuar Kosovën.

Sot duhet të mendojmë edhe për pas 10 viteve apo 20, se çfarë do të ndodhë kur në s’do të jemi më në politike. Nuk duhet të lejojmë të krijohen situata që mund të paralizojnë pushtet të ri, e lëre më ndarje në mes Kosovës. Nëse ne i lëmë mudësi  Vuçiqit që të tregojë veten të moderuar, kjo është e dëmshme. Përderisa ne po shtyhemi mes veti, Vuçiqi po promovon dialogun dhe partneritetin dhe po përfiton nga mungesa e unitetit kosovar”, ka përfunduar Veseli./Indeksonline/