Veseli kujton Demaçin: Guximi i tij që kurrë të mos ndalet, ishte inspirim që të tjerët të vazhdojnë gjithmonë

Ish-kryeari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherit lideri i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi në dy vjetorin e vdekjes.
Veseli thotë se tek bindja e tij se nuk ka liri pa flijim, gjenerata të shumta nxorën mësimin më kuptimplotë
Ky është postimi i plotë i Veselit:
Baca Adem, me sakrificat e pandalshme për liri dhe me gatishmërinë e vazhdueshme për ta kundërshtuar robërinë, e ka shquar qysh moti Kosovën në hartën e Evropës si vend i veçantë që nuk e duron robërinë, por e aspiron lirinë dhe pavarësinë.
Tek përkushtimi i Bacës Adem se kurrë nuk duhet të heqim dorë nga liria, gjeneratat e reja gjenin shembullin më sublim. Tek bindja e tij se nuk ka liri pa flijim, gjenerata të shumta nxorën mësimin më kuptimplotë.
Guximi i tij që kurrë të mos ndalet, ishte inspirim që të tjerët të vazhdojnë gjithmonë. Krenar që e kishim gjithmonë shembull Bacën Adem. Me fat e të lumtur që do të kemi prore frymëzimin nga ai. Lavdi!