75 Mall Live Search
13:50 / E Shtunë, 18 Prill 2020 / indeksADMonline

Veseli në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve: Objekte të trashëgimisë sonë gjenden të grabitura në Serbi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, që shërben për të rritur vetëdijesimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore.

Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se vendi ynë ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme.

“Ne krenohemi që vendi ynë ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme që vlen si dëshmi e qytetërimit tonë të hershëm dhe pjesë përbërëse e identitetin tonë kombëtar”.

“Partia Demokratike e Kosovës si parti konservatore e qendrës së djathtë, i kushton vëmendje të veçantë trashëgimisë kulturore si një pasuri të cilën ne duhet të mbrojmë, restaurojmë, promovojmë dhe përcjellim sa më autentike tek brezat e ardhshëm”.

“Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në, mbrojtjen, zbulimin, mirëmbajtjen dhe studimin e kësaj trashëgimie edhe në kushtet e vështira të okupimit dhe diskriminimit. Fatkeqësisht shumë objekte të trashëgimisë sonë kulturore gjenden të grabitura në Serbi dhe duhet të na kthehen sa më parë, pasi i përkasin historisë së kombit tonë”, ka shkruar Veseli në rrjetin social Facebook.