21:32 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018

Veseli nga Brukseli: Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë qëndrim pozitiv për liberalizimin e vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian ka një qëndrim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave.

Në një intervistë për Indeksonline nga Brukseli, Veseli ka treguar se gjatë qëndrimit të tij në kë vend, ai ka zhvilluar takime të shumta, duke përfshirë këtu edhe takimin me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Duke theksuar se ka sfida në këtë drejtim, ai shpreson se vendimmarrja do të jetë e drejtë dhe se në dhjetor do të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Brukseli mbetet adresa e Prishtinës. Gjatë qëndrimit tim këtu, kam pasur disa takime të cilat kanë qenë bilaterale, por në të njëjtën kohë kam takuar edhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Perspektiva e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e qartë, megjithatë sfidat janë evidente. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian ka një qëndrim shumë pozitiv sa i përket liberalizimin e vizave. Situata e cila është brenda vendeve specifike,  brenda vet Bashkimit Evropian dhe Brexit, kanë krijuar një situatë në të cilën Kosova edhe pse në mënyrë të merituar ende nuk ka marrë vendimin e duhur për liberalizimin e vizave dhe pres specifikisht kjo vendimmarrje të jetë e drejtë dhe korrekte, ashtu siç ka ndodhur në shumicën e vendeve në Evropë, pra që të ketë vendimmarrje nga dhjetori i këtij viti për bashkëqytetarët tanë”, ka deklaruar Veseli.

Sipas të parit të Kuvendit, në të kundërtën Bashkimi Evropian do të bënte shkelje, pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, madje më shumë se secili vend që deri më tash ka fituar liberalizmin e vizave.

“Në të kundërtën, Bashkimi Evropian bën një shkelje, që ka të bëj me kriteret e veta dhe proklamimin që e ka pasur deri tash Bashkimi Evropian do të jetë i zbehur edhe ndaj vendimeve që janë në procesin e integrimit të Bashkimit Evropian. Do të duhej të ndodhte liberalizimi i vizave. Përveç faktit që kemi pasur takime të shumta, është përmendur në mënyrë evidente përmbushja e obligimeve nga ana e Kosovës, pra e gjithsej 95 kritere përfshirë edhe Demarkacionin. Kemi pasur kritere të vështira, duke marrë parasysh kriteret e vendeve tjera që nuk i kanë pasur mbi 60 apo 65 kritere apo Ukraina dhe Gjeorgjia në liberalizimin e vizave. Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet teknike dhe politike që të liberalizohen vizat për qytetarët tanë. Gjendja e brendshme brenda Bashkimit Evropian është një situatë që nuk varet nga ne, përderisa edhe vendimmarrja e ministrave të brendshëm apo të jashtëm dhe ne presim që kjo do të ndodh, për vet faktin se e meritojmë dhe duhet të ndodh”, ka theksuar Veseli.

Ndërsa, i pyetur për gjysmë milioni euro të ndara për përfaqësuesen e Kosovës, pas fitores së mbrëmshme kundër Azerbajxhanit, Veseli ka thënë se kjo është më e pakta që kanë mundur të bëjnë institucionet e Kosovës për emocionet dhe shpresën që e kanë dhënë djelmoshat tanë.

“Është një veprim që unë e kam premtuar në momentin e kualifikimit, por mendoj se ajo që ka ndodhur në këtë kampionat deri më tani, është një arritje historike për Kosovën. Është kompeticioni i parë në të cilën merr pjesë Kosovë dhe asnjë humbje, të gjitha suksese, vetëm në dy ndeshje të fundit në gara ndërkombëtare të kemi golaverazh prej 9 golave pa e marr asnjë gol është një sukses i jashtëzakonshëm. Atë që kanë bërë djelmoshat tanë, reprezentacioni i Kosovës meriton edhe më shumë se kaq, sepse kanë rritur vetëbesimin e qytetarëve tanë, të rinjve tanë, i kanë gëzuar me qindra mijëra familje tona të cilat janë duke jetuar në Kosovë dhe jashtë saj. Mendoj se ata meritojnë më shumë dhe se me një sukses të tillë do të jenë një befasi e jashtëzakonshme, duke mos i ngarkuar psiqikisht veprimet e tyre sportive, për arsye se tek e fundit janë sportist, i dëshirojë suksese dhe i falënderojë në mënyrë zyrtare në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tona dhe kjo është më e pakta që është dashur ta bëjnë institucionet tona. Falënderojë kryeministrin që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime për ndarjen e kësaj shume simbolike për aq sa shumë prej 1 milion euro të cilat i kam premtuar kur të kualifikohen do të jenë pjesë e kësaj premie vetëm për të ju treguar se ne jemi përkrah tyre dhe do i përkrahim me aq sa kemi mundësi”, ka thënë ai./Indeksonline/