Veseli: Nuk ka ndarje të Kosovës, diskutimet në kuvend vetëm i bëjnë dëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes një konferencë për media ka thënë se nuk përkrah seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.
Ai ka thënë se kjo seancë nuk i ndihmon Kosovës dhe se diskutimi i kufijve në diskursin e brendshëm politik i ndihmon vetëm atyre që janë kundër vendit.
“Të flasësh për ndarje në Kuvendin e Kosovës nuk i bënë mirë vendit, i shërben vetëm interesat e atyre që janë kundër Kosovës. Këto janë vetëm skenarë, të flitet për këtë temë pa fakte, pa argumente, vetëm sa e dëmton vendin në procesin dialogues”, ka thënë Veseli.
I pari i PDK-së ka thënë se qëndrimi i PDK-së është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Ndërsa, për Asociacionin, Veseli ka thënë se nuk e pranojnë me kompetenca ekzekutive, por vetëm në pajtim me kushtetutën e vendit
“Shteti i Kosovës, integriteti i Kosovës janë të shenjta. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive. Po ashtu seancat e jashtëzakonshme ku flitet për ndarje e dobësojnë Kosovës, dhe ndjellin panik”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se thirrja e seancës është dëmi më i madh që mund t’i bëhet vendit./Indeksonline/