22:41 / E Martë, 28 Janar 2020

Veseli për vdekjen e policit: Kush sulmon djemtë e vajzat tona në uniformë do të marrë përgjigje të pakompromistë

Kryetari i PDK-së, njëherit ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare Facebook, i ka shprehur ngushëllime familjarëve të policit që vdiq sot gjatë detyrës së tij në Zhur të Prizrenit.

Veseli ndër të tjera ka thënë se askush nuk guxon të sulmojë djemtë dhe vajzat tona në uniformë dhe kushdo që e bën këtë, do të marrë përgjigje të fuqishme të pakompormisë.

Ky është postimi i Veselit i plotë:

Me shqetësim të madh mora lajmin e shpërthimit të një eksplozivi në Zhur të Prizrenit dhe të humbjes së jetës në krye tē detyrës të policit Sami Thaçi. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjarët e tij dhe bëj thirrje që organet e rendit dhe drejtësisë të angazhohen sa më shpejt për të vënë sa më parë shkaktarēt para përgjegjësisë ligjore për të marrë dënimin e rëndë të merituar.

Askush nuk guxon që të sulmoj djemtë dhe vajzat tona në uniformë e kushdo që guxon ti sulmojë sikurse sot, ka për të marrë përgjigjen e fuqishme e të pakompromistë të ligjit! Nuk do gjejnë dot vend ku të fshihen! Lutem ndërkaq që policët e tjerë të lënduar të shërohen sa më shpejt e të kthehen sa më parë pranē familjeve të tyre.