11:43 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Veseli: Platforma për dialog nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur në takim bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror për dialog, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Pas takimit, ai ka thënë se platforma për dialogun që do t’i dorëzohet Kuvendit synon marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pari i Kuvendit theksoi se kjo platformë nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë, si dhe garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive, transmeton Indeksonline.

“Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen finale, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo platform nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë dhe të njëjtë kohë garanton se nuk do të këtë asociacion me kompetenca ekzekutive apo Republikë Serbe brenda Kosovës. Është bazë e mirë, Kuvendi do ta shqyrtoj në afat sa më të shpejtë, në mënyrë të transparente. Përmes saj, do të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që i hap perspektivë vendit tonë. E përgëzoj delegacionin për punën e mirë në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Derisa ai i ka bërë thirrje partive të opozitës që t’i bashkëngjitën delegacionit për dialog.

Veseli ka uruar 11-vjetorin e Pavarësisë duke thënë se ky vit do të jetë i liberalizimit të vizave, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. /Indeksonline/