08:01 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Veseli prej dy vitesh në krye të PDK-së, këto ishin fjalët e tij kur u zgjodh lider

Dy vite më parë, Kadri Veseli mori udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës.

Veseli, aktualisht Kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte zgjedhur lider i PDK-së më 7 maj 2016.

Zgjedhja e tij u bë në konventën e shtatë të jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së, e cila u mbajt në Prishtinë, shkruan Indeksonline.

Zgjedhja e Veselit kryetar ishte bërë me votim të hapur nga 781 delegatë të cilët morën pjesë në konventë.

“Jam shumë falënderues nga ju sot, por në të njëjtën kohë do të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë i përgjegjshëm se bashkë me ju na presin edhe shumë punë të përbashkëta për vendin tonë, për qytetarët e vendit tonë, për Partinë Demokratike të Kosovës.Do të fillojmë menjëherë të punojmë. Ku i kemi punët mirë, do të punojmë edhe më mirë. Aty ku kemi ngecje do të përmirësohemi, do t’i pranojmë gabimet dhe do të ecim përpara, në mënyrë që Partinë Demokratike të Kosovës ta forcojmë për shtetin e Kosovës, për qytetarin e Kosovës. Fitore të sigurt”, pati thënë Veseli.

Ndryshe Kadri Veseli ishte kandidati i vetëm që garoj për të marrë postin drejtues të PDK-së. /Indeksonline/