Veseli: Putini ia tha Vuçiqit ato që ia tha edhe Thaçit, Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së parë të Kryesisë për këtë vit ka uruar suksese e mbarësi për të gjithë, derisa ka paralajmëruar se 2019-ta do të jetë vit i suksesshëm dhe shpërthimit për vendin.
Në konferencën për media, Veseli ka bërë të ditur se më 30 janar si dhe më 31 janar do të mbahet seancë me disa pika të rëndësishme të rendit të ditës si buxheti, statuti i Trepçës që shumë shpejt do të kalojnë në Kuvend, ligji për paga e shumë të tjera, raporton Indeksonline.
“Po ecim mirë derisa jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara. 2019 do të jetë vit i suksesit diplomatik dhe i shpërthimit. Taksa 100% i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion i një agresiviteti që e ka sjell vet Serbia. Ajo vet ka qenë agresive për një kohë të gjatë dhe nuk kemi çka me i bë. Çdo vendim dhe veprim i yni nuk është kundër asnjë qytetari. Në gjithë jetën time politike kam vetëm një partner, e ky është SHBA, prandaj, nuk do ta dëmtojmë këtë partneritet e s’do të lejojmë që askush të na dëmtoj”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, SHBA s’ka kërkuar heqjen e taksës, por ka një kërkese që ti jepet perspektiv dhe fuqi Kosovës në dialog, ka kërkesë që ti jepet mundësi dialogut ku do të veprojnë bashkërisht, prandaj, siç ka theksuar Veseli, shqetësimet që janë të SHBA-ve, janë edhe tonat.
“Serbia duhet ta dijë që jemi vend i Pavarur dhe sovran dhe mos ti malltretoj qytetarët tanë në kalim. Një bashkatdhetar tanin që vije nga Maqedonia nuk e lejojnë të kaloj në Serbi. I kanë lënë bashkatdhetarët tanë të presin nga 7 orë në dimër, por ne u themi mos na ngacmoni sepse nuk u lejojmë”, ka thënë tutje Veseli.
Duke komentuar vizitën e presidentit rus në Serbi, Veseli ka vlerësuar se ajo duhet të merret si diçka pozitive, raporton Indeksonline.
“Merreni si diçka pozitive, ne jemi me Amerikën me perëndimorët, e fqinji ynë në veri po tenton të kaloj mirë me perëndimorët. Putinit pas një takimi me Thaçin, i ka thënë të njëjtat gjëra edhe pas atij me Vucicin, pra Rusia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Shpresojmë shumë që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së këtë vit”, ka potencuar Veseli.
Sipas tij, pozita e opozita nganjëherë nuk merren vesh, pasi që në politikë ka aktrim vetëm për të fituar mbështetje elektorale. Ai ka ftuar sërish opozitën që të bashkëngjitet në ekipin negociator për dialogun me Serbinë. /Indeksonline/