13:39 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

Veseli: S’ka nismë më të qëlluar se kjo dekadë të nisë me fuqizimin e sundimit të ligjit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në një tryezë të mbajtur lidhur me reformën në drejtësi, ka thënë se dekada e parë e shtetësisë së Kosovës, si fazë e konsolidimit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, ishte dekadë me shumë sfida, si nga aspekti i zhvillimit ekonomik e socio-politik, ashtu edhe nga aspekti i funksionimit të mirëfilltë të sistemit të drejtësisë.

Veseli shtoi se megjithatë, institucionet tona, së bashku me ndihmën e partnerëve, SHBA-së dhe BE-së, kanë arritur që të adresojnë këto sfida dhe të përmbyllin këtë dekadë me një përgjigje të qartë dhe të qëndrueshme, se: Republika e Kosovës është shtet demokratik, me një shoqëri të konsoliduar multietnike, në rrugë të sigurt drejt integrimit në BE, që respekton të drejtat e njeriut dhe që progresi ekonomik e politik i të cilës është i paalternativë.

“Dekadën e re të pavarësisë, Kosova po e nisë me rishikim funksional të sistemit të drejtësisë, për një gjeneratë të re gjykatësish e prokurorësh që reflektojnë zhvillimin demokratik të shoqërisë sonë. Si kryetar i Kuvendit, dëshiroj të shprehë gatishmërinë e plotë, se agjenda parlamentare do të jetë në dispozicion të plotë të çdo nisme ligjore që vjen si rezultat i këtij procesi”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Temat: