Veseli takon Lajçakun: Kosovës i duhet një marrëveshje finale me Serbinë, që sjell njohje reciproke dhe vende në OKB

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Gjatë këtij takimi, kryetari Veseli dhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, kanë folur për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë rast, kryetari Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e dialogut dhe është e vetmja që ka propozuar një platformë për këtë çështje. Sipas tij, PDK-js konsideron se marrëveshja finale me Serbinë është interes strategjik i Kosovës për anëtarësim në BE dhe në OKB.
“Është inkurajues pozicioni i përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, që në emër të Bashkimit Evropian, ka një agjendë të qartë për ta përmbyllur dialogun Kosovë – Serbi me një marrëveshje finale. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë që si opozitë të japë kontributin e saj, ku si bazë mbështetje ka vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën”, ka thënë kryetari Veseli.
Veseli ka folur edhe për nevojën e një koordinimi më të drejtpërdrejtë me SHBA-të.
Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.