11:10 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Veseli: Taksa 100% vendimi më dinjitoz i Kosovës, s’do t’i nënshtrohemi kurrë Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur pas takimit të liderëve të shtetit, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, Samitin e Berlinit, taksën ndaj produkteve serbe dhe vizat.

Ai në një konferencë pas takimit ka thënë se brenda u konstatua që Samiti i Berlinit ka qenë një lajm i mirë për të gjithë, raporton Indeksonline.

“Kemi pasur takim shumë pozitiv. Jemi të  vetëdijshëm për procesin historik në të cilin po kalon Kosova drejt OKB. E kemi vetëm një mandat para qytetarëve, shtetin tonë, sovranitetin dhe integritetin. E inkurajojmë BE për involvimin tonë në këtë proces historik (dialog). Një nga shtetet më domethënëse mike për Kosovën dhe me rolin më të fuqishëm global janë SHBA, prandaj falënderoj presidentin Trump për të gjitha iniciativat që i ka pas deri më tani. Besojmë se të ardhmen do të ketë një involim edhe më direkt të SHBA”, ka theksuar Veseli.

Ai ka potencuar se Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe sovran dhe se kështu do të jetë përherë.

“Nuk do të diskutohet asnjëherë për sovranitetin tonë, ne po flasim për obligimet që duhet ti marr Kosova si shtet ndaj qytetarëve, fqinjëve dhe BE-së. Për ne me rëndësi është ky proces, do të marrim pjesë në procese të tilla kudo që na ftojnë në mënyrë të unifikuar. Kosova do të shkoj edhe në Paris e kudo që ftohet, falënderojmë Merkel dhe Macron për këtë iniciativë. Në mënyrë formale, ia dha përkrahje rezolutave që i kemi ndërmarr dhe platformën për tribunalin e krimeve serbe në Kosovë”, ka thënë tutje Veseli.

I pari i Kuvendit ka komentuar edhe taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Ai ka thënë se ky vendim është ndër më të mirët që ka marr vendi.

“U bë bajat për taksën, nuk kemi ndërmend të marrim vendim që e vë në qosh asnjë udhëheqës të Kosovës. Kurrë nuk i nënshtrohemi Serbisë dhe Vuçiqit. Punën e taksës largojeni se e keni bërë të madhe pa nevojë. Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz i shtetit tonë ndaj Serbisë, pse po e bëni të madhe. Taksa është dashur të konsumohet në raport vetëm më Serbinë, kur e kam propozuar taksën 100 ka qenë përgjigje e drejtpërdrejt e Serbisë e jo SHBA, Francës e Gjermanisë. Kurrë nuk do të  ketë nënshtrim ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, do të shkojmë gradualisht”, ka potencuar Veseli.

Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova ka plotësuar kritere shumë më shumë se vendet tjera të BE-së.

Veseli duke komentuar takimet e liderëve, tha se kur mblidhen bashkë po kënaqen. /Indeksonline/