75 Mall Live Search
15:28 / E Enjte, 31 Janar 2019 / indeksADMonline

Veseli: T’i ruajmë partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe vendet perëndimore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë homazhe sot pranë shtatores së heroit, Zahir Pajaziti.

Me këtë rast, Veseli tha se sot është 31 janari, i rënies heroike të tre heronjve të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.

Veseli shtoi se këta tre heronj janë lajmëtarë të lirisë, shtylla e sovranitetit, integritetit tonë si shtet i pavarur dhe sovran së bashku me mijëra e mijëra heronjtë, martirë e të pagjetur të cilët ranë për liri.

Veseli është deklaruar edhe për takimet e fundit të liderëve të koalicionit qeveritar dhe ambasadorit amerikan, Philip Kosnett pas shumë mospajtimeve sa i përket vendimi të fundit nga Qeveria e Kosovës.

“I gjithë orientimi ynë, përpjekja jonë është shumë e qartë. Ta mbrojmë atë të cilën e kemi arritur deri më sot, shteti ynë i pavarur dhe sovran dhe t’i ruajmë partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe partnerët perëndimor. Sot është ditë e shenjtë e kombit që kanë rënë heornjtë. Të jenë të sigurt qytetarët e vendit tonë se sovraniteti dhe shteti mbrohen përmes politikave të mençura, të qarta dhe të cilat jemi duke i mbajtur dhe në të njëjtën kohë SHBA-ta janë vetë Kosova. Ne jemi një, aty ku është Amerika është Kosova dhe anasjelltas” ,ka thënë Veseli.

Tutje ai ka shtuar se po punohet që të mos ketë Kosovë me asoacione dhe nuk do të ketë këmbim të territoreve.

“E rëndësishme është partneriteti me SHBA-të dhe  gjithë orientimi im politik është fuqizimi i kombit tonë me SHBA-të, nuk ka sovranitet dhe mbrojtje territorit të Kosovës pa politika të mençura euroatlantike, pa SHBA-të dhe partnerët tanë perëndimor, jemi duke punuar intesivisht për aq sa është i shenjtë territori dhe integriteti, nuk do të ketë Kosovë me asociacione, nuk do të ketë këmbim të territoreve dhe do të ketë partneritet të përjetshëm të SHBA-së me Kosovën.Pak kanë rëndësi çështjet e mbrendshme dhe karrigat, me rëndësi është shteti është i shenjtë dhe ka sakrificën e këtyre heronjve të cilët ranë në altarin e lirisë dhe të mbajmë partneritet me ata që kemi arritur lirinë, pavarësinë dhe po ecim drejt integrimeve euroatlantike”, ka përfunduar Veseli./Indeksonline/