Vetaksident trafiku në Mitrovicë, motoçiklisti pëson lëndime trupore

Një vetaksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:20 në rrugën “Kral Petri”, në magjistralen Mitrovicë–Zveçan, ku është përfshirë një motoçiklist.
Sipas Policisë së Kosovës, në aksident është përfshirë F.A., 67 vjeç, i cili ka humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe ka pësuar lëndime trupore.
Zyrtarët policorë që ndodheshin në patrullim i kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarit, derisa ka arritur ekipi emergjent mjekësor, i cili më pas e ka dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Pas trajtimit mjekësor, personi është liruar në gjendje stabile.
Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, është konstatuar se i lënduari ishte nën ndikimin e alkoolit, me rezultat 0.53 promilë në testin e alkoolit.
Policia e Kosovës apelon fuqishëm tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e veçanërisht motoçiklistët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin shpejtësinë e tepruar dhe të mos ngasin nën ndikimin e alkoolit apo substancave tjera.
Gjithashtu, theksohet rëndësia e vendosjes së helmetës mbrojtëse, si një masë jetike për mbrojtjen e jetës gjatë ngasjes së motoçikletës.
Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët – për një rrugë më të sigurt për të gjithë!