19:00 / E Martë, 07 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vetëflijimi në Kombinat/ Nisin hetimet:18 persona konsiderohen si dëshmitarë kyç

Tragjedia me dy viktima në Tiranë është një prej atyre ngjarjeve që nuk harrohet lehtë. Por, më shumë se kaq, tashmë kjo ngjarje do të shërbejë për të çuar deri në fund hetime që kanë nisur e asnjëherë nuk janë mbyllur lidhur me organizatat dhe sektet fetare, aktivitetin e tyre, mënyrën e rekrutimit, por mbi të gjitha financimet e tyre.

Prokuroria shqiptare, përveç dosjes së ngjarjes me dy viktima të Zhaneta dhe Anisa Josifi i ka shtrirë hetimet shumë më tepër se kaq. Burime të sigurta thanë për gazetën “Shqip” se janë plot 18 persona të konsideruar si dëshmitarë kyç për hetimet, përfshirë të afërm dhe fqinj, por edhe disa persona të tjerë me banim në Përmet.

Për herë të parë sektet fetare, ose më saktë “Dëshmitarët e Jehovait” janë përshirë në verifikime rreth viteve 2000. Në atë kohë një ekip gazetarësh gjermanë erdhën në Shqipëri të investigonin përhapjen e “Dëshmitarëve të Jehovait”, duke bërë lidhjen mes një serie vetëvrasjesh në moshat e vogla në ato vite.

Pati ca lëvizje nga strukturat e rendit dhe hetimit në atë kohë, por jo ndonjë gjë madhore, pasi mesa duket prevaloi liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, siç vitet e mëpasshme e treguan në disa vende të botës në raste të ngjashme.

Por ja që emri i organizatës doli në skenë sërish në rastin e vetëvrasjeve të ditëve të fundit në lagjen “Kombinat” Tiranë, ku një nënë bashkë me njërën nga dy vajzat e saj u gjendën të pajeta në apartamentin e tyre, ndërkohë që vajza tjetër është në spital dhe sipas mjekëve e ka kaluar gjendjen kritike.

Sipas deklarimeve të policisë, familja ishte pjesë e organizatës “Dëshmitarët e Jehovait” dhe nisur nga vlerësimi forensik, trupi i pajetë i vajzës mbahej prej 15 muajsh në shtëpi, duke iu nënshtruar një procesi të ngjashëm me mumifikimin. Dëshmitë e para nga e mbijetuara përmendin si motiv të kësaj historie tragjike “shpresën për ringjallje”. Babai i vajzave ishte vetëvrarë pesë vite më parë në rrethana të pashpjeguara.

Ndërsa ende nuk është qartë nëse pjesëtarët e familjes Josifi ishin praktikantët të “Dëshmitarëve të Jehovait”. Ky sekt që vepron në Shqipëri e ka mohuar, ndërsa përflitet se ishin edhe pjesë e Kishës Ungjillore. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare mendohet se në Shqipëri veprojnë 200 organizata apo sekte fetare.