20:55 / E Premte, 10 Maj 2019

Vetëm 19% e prodhimit të brendshëm shkon për paga

Fondi total i pagave në ekonominë shqiptare u rrit me 9.3 për qind vitin e kaluar, por sërish pjesa e të ardhurave nga puna në prodhimin kombëtar mbetet ndër më të ulëta në botë.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2018 fondi total i pagave të dhëna nga shteti dhe bizneset private për të punësuarit arriti në 306.5 miliardë lekë euro nga 280 miliardë lekë që ishte në vitin 2017.

Rritja me 9.2 për qind e fondit të pagave është rezultat i shtimit të numrit të punësuarve në ekonomi, por edhe rritjes së pagave gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, pavarësisht kësaj rritje, fatura e rrogave ndaj prodhimit kombëtar mbetet në nivele minimale, vetëm 19 për qind.

Puna është mekanizmi kryesor që shpërndan mirëqënien ekonomike në popullatën e gjerë. Në vendet e zhvilluara të OECD-së, pjesa e rrogave në ekonomi është sa 55 për qind e prodhimit kombëtar ose gati 3 herë më shumë se në Shqipëri. Pra, e thënë ndryshe, në çdo 100 lekë që prodhojnë ekonomitë e zhvilluara të OECD-së, 55 lekë shpërndahen si të ardhura për qytetarët që punojnë, në një kohë që në Shqipëri shifra është vetëm 19 lekë.

Të ardhurat e ulëta që marrin puntorët në Shqipëri ndaj prodhimit kombëtar janë rezultat i një sërë faktorëve, shkruan tch. Së pari për shkak të papunësisë së lartë. Shqipëria ka vetëm 681 mijë të punësuar,pa përfshirë sektorin bujqësor.

Por, edhe brenda këtij numri të ulët, një pjesë e madhe, gati një e treta janë të vetëpunësuar, pra punonjës pa pagë. Veç numrit të ulët të të punësuarve, një tjetër arsye se pse puna shpërndan shumë pak mirëqënie në Shqipëri është edhe ajo e rrogave të ulëta, vecanërisht në industrinë e përpunimit aktiv, si fasonet që japin dhe numrin më të madh të të punësuarve.