75 Mall Live Search
10:20 / E Hënë, 02 Mars 2020 / indeksADMonline

Vetëm 69 inspektorë të AUV-së, mungon koordinimi dhe ndarja e kompetencave

Nevoja për rritjen e numrit të inspektorëve të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari është në rritje e sipër.

Në të gjithë vendin numri i përgjithshëm i Inspektorëve të kësaj Agjencie është vetëm 69, numër ky mjaftë i vogël.

Këta gjashtëdhjetë e nëntë inspektorë funksionojnë në zyrat regjionale të ndara si: Pejë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe në kuadër të AUV-it në Prishtinë.

Në një përgjigje të dhënë për Indeksonline nga Zyra për Informim e AUV-it u theksua se 13 nga këta inspektorë janë veterinar kufitar,  12 të tjerë janë veterinar të brendshëm, 16 inspektor fitosanitar kufitar, 13 fitosanitar të brendshëm dhe 15 inspektor sanitar.

Madje theksohet se mes këtyre inspektorëve mungon një koordinim i mirë dhe ndarje më  qartë te kompetencave të punës.

“Nevojat e Agjencisë për ti realizuar detyrat dhe përgjegjësitë e saj janë gjithnjë në rritje.  Gjithsesi  nevojat për rritjen e numrit të inspektorëve është evidente. Këtë e kemi paraqitur pothuajse ne te gjitha iniciativat tona. Fusha e gjer e kontrollit dhe kompleksiteti i saj e bën qe të ketë nevojë për numër me të madh, duke ditë faktin se kontrolli ushqimorë është shumë i rëndësishëm për njerëzit dhe po ashtu kontrolli shëndetësor i bimëve dhe kafshëve është burim i shëndetit të përgjithshëm publik”, tha Lamir Thaçi nga AUV.

Ai tutje theksoi se një numër i konsiderueshëm i inspektorëve sanitarë, veterinarë dhe fitosanitarë veprojnë në kuadër të komunave, por që detyrimet e tyre të kontrollit i realizojnë ndaras nga planifikimi i AUV-it, përveç memorandumit për kontrollin e therjeve të kafshëve  në komunat të cilat kanë të punësuar inspektor veterinar dhe për punën e tyre i përgjigjën varësve të tyre nëpër komunat përkatëse.

“Numri i inspektorëve të agjencisë prej 69 dhe atyre komunal 68 në Republikën e Kosovës, mes tyre mungon një koordinim më i mirë dhe ndarje më e qartë e kompetencave. Kalimi i inspektorëve nga komunat në AUV tash e sa vite nuk po arrihet të realizohet për shkaka të transferit buxhetore qe duhet të aprovohet nga institucionet tjera. Nga ana jonë ne si AUV kemi kryer të gjitha detyrat për transferim. Kur këta të gjithë të jen brenda një autoriteti, mund ta kemi një pasqyre me të saktë se sa është nevoja për rritje të numrit shtesë të inspektorëve në nivel vendi dhe sipas regjionit”, thuhet tutje nga AUV.

Edhe pse Ligji për Ushqimin e përcakton transferin e inspektorëve nga komunat në AUV, që do të mundësohej një koordinim më i mirë i punëve dhe kontrolleve zyrtare, një veprim i tillë nuk është realizuar deri më tani, edhe pse është kërkuar edhe nga Komisioni Evropian në kuadër të proceseve të stabilizim asocimit.

Sipas AUV-it kjo nuk ka të bëjë me mos-kryerjen e punëve, por për një performancë më të mirë edhe në raste të emergjencave, si shembull i sëmundjeve të kafshëve siç ishin rasti me sëmundjen gungore të kafshëve ose edhe më aktuale rreziku nga sëmundja me coronavirus./Indeksonline/