75 Mall Live Search
09:54 / E Martë, 13 Janar 2026 / S Z

Vetëm gjatë nëntorit rreth gjysmë milioni vizitorë të jashtëm hynë në Kosovë, vera thyen çdo rekord

Vetëm gjatë muajit nëntor të vitit që shkoi në pikat kufitare të vendit janë regjistruar gjithsej 496,889 vizitorë të jashtëm, duke shënuar një fluks të konsiderueshëm hyrjesh gjatë këtij muaji.

Të dhëna këto të Policisë së Kosovës, të cilat janë  publikuar nga Agjencia e  Statistikave e Kosovës (ASK).

Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja qëllimi kryesor i udhëtimit të vizitorëve mbetet vizita te miqtë dhe të afërmit, me 424,089 persona, ndërsa 21,833 vizitorë kanë hyrë për pushim dhe vizita turistike. Po ashtu, 7,597 vizitorë kanë ardhur për qëllime biznesi, 552 për punë, 2,223 në transit, ndërsa 40,595 janë regjistruar në kategori të tjera, raporton Indeksonline.

Sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit, shumica e vizitorëve, përkatësisht 476,930 persona, nuk kanë specifikuar netqëndrimin. Vizitorët që kanë qëndruar nga 1 deri në 4 netë përbëjnë një pjesë më të vogël, ndërsa numri i atyre që kanë qëndruar mbi 10 netë mbetet relativisht i ulët.

Ndërkaq korriku dhe gushti mbeten muajt e vitit ku numri i vizitorëve arrin kulmin. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga pikëkalimet kufitare, numri më i madh i vizitorëve të jashtëm është shënuar në muajin korrik, ku Kosovën e kanë vizituar 929 mijë e 784 vizitorë të huaj. Pasuar nga gushti me 919 mijë e 751 vizitorë, të cilët kanë hyrë në Kosovë, përmes pikë kalimeve kufitare./Indeksonline/