75 Mall Live Search
20:53 / E Shtunë, 14 Janar 2023 / MSH

VETËM krerët e shtetit do mbajnë fjalime në Reçak, ish-komandanti Buja: Cenzurë si në kohën e Millosheviqit

Krerët e shtetit do të mblidhen nesër në Reçak, e pastaj në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, për të shënuar përvjetorin e masakrës së Reçakut.

Takimi do të ketë në krye presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Pas homazheve në Reçak, të tre kanë planifikuar të mbajnë fjalime, gjë që i është mohuar OVL-UÇK-së dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadani.

Ky i fundit ka dërguar kërkesën në zyrën e kryeministrit, së cilës i ka bashkangjitur edhe fjalimin që planifikonte ta mbante.

Megjithatë, kërkesa e tij raportohet të jetë shpërfillur nga zyra e kryeministrit, teksa nga ish-përfaqësuesit e UÇK-së dhe shoqatat e të dalurve nga lufta, po konsiderohet si mungesë respekti dhe cenzurim.

Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka thënë për Indeksonline se një “cenzurë” e tillë i përket kohës së Millosheviqit e që është një padrejtësi kundrejt familjarëve dhe viktimave atje.

“Sot kam qenë i informuar nga organizatat e dala nga lufta për problematikën që ka ndodhur atje. Më kanë njoftuar edhe për fjalimin e kryetarit të fshatit, i cili është detyruar ta dërgojë në zyrën e kryeministrit, që është diça e pakapshme, sepse cenzura të tilla kanë ndodhur vetëm në kohën e Millosheviqit, kanë ndodhë përmirësime apo redaktime të shkrimeve dhe fjalimeve, por jo në kohën e shtetit të Kosovës. Kjo është një vepër jashtë çdo norme demokratike dhe jashtë çdo norme edhe njerëzore. Përveç kësaj, shoqatat e dala nga lufta kanë kërkuar që të marrë fjal[n edhe dikush nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si përfaqësues, sepse kryeministri i Kosovës, presidentja e shtetit, duhet ta kenë parasysh që në mbrojtjen e që kanë shpëtuar dhe atyre që janë masakruar, gjithë ajo plejadë e gjithë ai tmerr që ka ndodhë, ka qenë në zonën operative të Nerodimës, në territorin e Brigadës 161, dhe në qoftë se dikush dëshiron t’i kompensojë me fjalime ato që dikur, në historinë e kombit tonë, ishte nën margjinat e saj, ne nuk jemi fajtorë” tha Buja për Indeksonline.

Sipas tij, viktimat e Reçakut nuk e meritojnë një çasje dhe një mospërfillje të tillë.

Viktimat e Repakut, martirët e Reçakut, nuk e meritojnë një çasje të tillë prej institucioneve shtetërore, por duhet të jenë të kujdesshëm, pasi masakra e Reçakut është një nga masakrat që vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat ndrëkombëtarë dhe është baza e fillimit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Prandaj çdo lojë me këto, për të ngritur një individualitet të vetit, cilido qoftë ai, është tepër e gabueshme dhe tepër e dëmshme për Kosovën” përfundoi ai.

Nesër në Reçak shënohet 24 vjetori i depërtimit të forcave serbe në këtë fshat, ku 45 viktima u masakruan./Indeksonline/