75 Mall Live Search
10:38 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / MSH

Vetëm gjatë tetorit, Dogana e Kosovës sekuestroi mallra me vlerë mbi 250 mijë euro

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka shënuar arritjet e Doganës së Kosovës, përgjatë tetorit.

Përmes një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se Dogana… ka shënuar rritje të konsiderueshme të aktiviteteve operacionale në terren, shkruan IndeksOnline.

Sipas MFPT-së, vetëm gjatë gjysmës së parë të tetorit janë sekuestruar mallra me vlerë mbi 250 mijë euro, përfshirë substanca narkotike, municion, monedha, dekorata koleksionuese prej bakri, pajisje të ndryshme elektronike, produkte farmaceutike, tekstil, pije, duhan, kozmetikë, e kështu me radhë.

“Gjatë vitit 2025, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë 1.5 miliardë euro të hyra deri në mesin e muajit tetor, një rritje prej 8.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 122 milionë euro më shumë të hyra të inkasuara”, thuhet në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë:

Dogana e Kosovës ka shënuar një rritje të konsiderueshme të aktiviteteve operacionale në terren ku vetëm gjatë gjysmës së parë të muajit tetor janë sekuestruar mallra me vlerë mbi 250,000 euro, përfshirë:

Substanca narkotike dhe municion

Monedha dhe dekorata koleksionuese prej bakri

Pajisje elektronike të ndryshme

Produkte farmaceutike, suplemente, kozmetikë dhe instrumente mjekësore

Tekstil, pije, duhan dhe municion

Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e Doganës së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke parandaluar qarkullimin e mallrave të paligjshme që rrezikojnë ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve.

Gjatë vitit 2025, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë 1.5 miliardë euro të hyra deri në mesin e muajit tetor, një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 122 milionë euro më shumë të hyra të inkasuara.