Vetëm pak minuta ecje mund t’ju përmirësojnë kujtesën, thonë shkencëtarët
Nëse keni vështirësi të mbani mend emra, informacione të reja apo material për një provim, zgjidhja mund të jetë më e thjeshtë sesa mendoni: pak aktivitet fizik. Sipas studimeve të fundit, edhe një periudhë e shkurtër ushtrimesh aerobike mund të përmirësojë menjëherë aftësinë e trurit për të ruajtur dhe rikujtuar kujtimet.
Shkencëtarët kanë ditur prej kohësh se aktiviteti fizik ndikon pozitivisht në funksionet njohëse dhe ndihmon në mbrojtjen e trurit nga plakja. Tani, një studim i ri ka zbuluar se ushtrimet fizike nxisin shfaqjen e valëve elektrike në hipokampus, rajoni i trurit që luan rol kyç në formimin e kujtesës, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit monitoruan aktivitetin cerebral të pjesëmarrësve menjëherë pas ushtrimeve në biçikletë statike dhe zbuluan një rritje të dukshme të këtyre sinjaleve nervore. Këto impulse ndihmojnë trurin të organizojë dhe të konsolidojë informacionin, duke e bërë më të lehtë ruajtjen e kujtimeve.
Rezultatet sugjerojnë se edhe një shëtitje e shpejtë ose disa minuta aktivitet fizik pas mësimit të një informacioni të ri mund të përmirësojnë ndjeshëm aftësinë për ta kujtuar më vonë. Studime të mëparshme kanë treguar gjithashtu se ecja disa orë pas procesit të të mësuarit mund të përforcojë kujtesën më shumë sesa ushtrimet menjëherë pas tij.
Përfitimet nuk ndalen vetëm te kujtesa. Një seancë e vetme ushtrimesh mund të rrisë përqendrimin për disa orë, të përmirësojë humorin dhe të stimulojë prodhimin e proteinës ‘BDNF’, e cila ndihmon krijimin e lidhjeve të reja nervore në tru.
Ekspertët theksojnë se sa më aktivë të jemi në mënyrë të rregullt, aq më të mëdha bëhen përfitimet për trurin. Me fjalë të tjera, pak lëvizje sot mund të jetë një investim i rëndësishëm për kujtesën dhe shëndetin mendor të së nesërmes.

