75 Mall Live Search
14:29 / E Shtunë, 17 Shkurt 2024 / Gj. Sh

Veteranët e Kosovës dhe ushtarët e FSK-së shënojnë Ditën e Pavarësisë me ndeshje futbolli

Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali është zhvilluar ndeshja ndërmjet Kombëtares së Kosovës së veteranëve dhe ekipit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Para ndeshjes presidenti i FFK-së, Agim Ademi uroi të pranishmit për Ditën e Pavarësisë.

Ai tha se e kanë zgjedhur që ndeshja për 16-vjetorin e pavarësisë të jetë pikërisht ndaj këtyre dy ekipeve që bartin uniformat shpirtërore të popullit të Kosovës.

“Shteti jonë ka dy uniforma shpirtërore: Uniformën e ushtrisë dhe Uniformën e Kombëtares së Kosovës. Të dy këto uniforma janë të rëndësishme në rrugën e shtetndërtimit. Uroj që këto dy uniforma të jenë sa më lart me profesionalizëm dhe me rezultate”, ka theksuar Ademi.

Ndeshja ka shërbyer si një moment unik për të bashkuar komunitetin sportiv dhe ata të angazhuar në ushtrinë e Kosovës, duke sjellë një atmosferë të veçantë për të festuar këtë përvjetor të shtetësisë.